Marrëveshja për njohjen e pensioneve me Italinë mori “dritën jeshile” në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe atë për Ekonominë dhe Financat. Si rrallëherë më parë ajo u votua unanimisht nga deputetët e opozitës dhe mazhorancës. Pas votimit në dy komisionet, marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të viteve të punës me Italinë pritet të miratohet në Parlament në seancën plenare të 19 majit.
“Por, kundër miratohet në parim, nen për nen dhe në tërësi”, u shpreh Blerina Gjylameti nga momenti i votimit.
Asnjë votë kundër apo abstenim… si rrallëherë më parë, marrëveshja për pensionet me Italinë bëri bashkë opozitën e mazhorancës. Një muaj pas depozitimit nga qeveria për ratifikim, marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore mori “dritën jeshile” në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe atë për Ekonominë dhe Financat.
“Janë rreth 4 mijë shtetas italianë që jetojnë aktualisht dhe rreth 500 mijë shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj që do të përfitojnë nga marrëveshja”, tha Olta Manjani, zëvendësministre MEKI.
Megjithëse e deklaroi që në nisje të fjalës se vota e saj do të ishte “pro”, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku nuk i kurseu kritikat në drejtim të mënyrës së pagesës së pensioneve.
“Në marrëveshje specifikohet se llogaritja e pensioneve do të përllogaritet mbi kursin e këmbimit të Bankës së Italisë. Ndërkohë ne do ta llogarisim sipas kursit të këmbimit të bankave të nivelit të dytë. Ne nuk jemi më vend i botës së tretë. Ne kemi një Bankë Qendrore”, deklaroi Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike.
Shpjegimet i dha kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado.
“Ne i paguajmë pensionet nëpërmjet bankave të nivelit të dytë ndaj duhej të ishte kështu. Për Italinë nuk ndryshon gjë pasi ata të njëjtën monedhë kanë, euron”, theksoi Astrit Hado, kreu i ISSH.
Pas votimit në dy komisionet, marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të viteve të punës me Italinë do të vonohet në Parlament në seancën plenare të 19 majit. Më pas, marrëveshja do t’i çohet Presidentit për dekretim për të hyrë më pas në fuqi.