September 12, 2024
Bota Lajmi i fundit

Dy vite pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, arrestohet në Irak “Akrepi”, pretendoi se trafikoi 10 mijë emigrantë në Angli

Barzan Kamal Majeed, kreu i një bande kriminale që trafikonte emigrantë me gomone dhe kamionë në Angli, i njohur me nofkën “Akrepi”, është vënë në pranga pas dy vitesh në arrati. Ai u arrestua në Irak nga forcat e sigurisë së Rajonit Kurdistan këtë të hënë.

Majeed, një ish-mekanik në Nottingham, ishte zhdukur që nga nëntori i vitit 2022, kur duhej të paraqitej në një gjykatë në Belgjikë pasi akuzohej për trafikim të qenieve njerëzore.

“Akrepi” u dënua me 10 vjet burg në mungesë, si dhe u gjobit me 968 mijë euro. “Akrepi” u identifikua gjatë një hetimi të përbashkët mes autoriteteve britanike, belge, holandeze dhe franceze. “Akrepi” akuzohet për kontrabandimin e emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar midis korrikut 2018 dhe nëntorit 2019 duke përdorur gomone, kamionë dhe kontejnerë transporti.

Në një intervistë nga arratia të publikuar vetëm 3 ditë më parë nga BBC, ai pretendonte se kishte kaluar rreth 10 mijë emigrantë në Angli në mënyrë të paligjshme.