Një gazetare kineze, ndër të parat që ka raportuar në mënyrë të pavarur për shpërthimin e COVID në Wuhan do të lërë qelinë pas 4 vitesh. Zhang Zhan, një ish-avokate dhe një nga të paktët gazetarë të pavarur kinezë u dënua me 4 vite burg nga qeveria kineze, vetëm për faktin se po raportonte për virusin vdekjeprurës ndërkohë që autoritetet kineze vendosën censurë të rreptë.
Ajo u arrestua në maj 2020 dhe u dënua muaj më vonë me katër vjet burg për “provokimin e konflikteve” – një akuzë e përdorur zakonisht nga qeveria kineze për të synuar disidentët dhe aktivistët e të drejtave të njeriut.
Për më shumë se tre muaj, ajo dokumentoi copa të jetës nën izolim në Wuhan dhe realitetin e ashpër me të cilin përballen banorët e tij, nga spitalet e tejmbushura te dyqanet bosh, ndërsa bota po përgatitej për përhapjen e virusit. Ajo postoi vëzhgimet, fotot dhe videot e saj në Wechat, Twitter dhe YouTube – dy të fundit janë të bllokuara në Kinë.