December 7, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

Francezët me Citroen të ’60 zbulojnë Shqipërinë

Për herë të parë një grup prej 160 turistësh francezë përfshijnë në turin e tyre ndërkombëtar edhe Shqipërinë. Në itinerarin e tyre të lëvizjeve këtë vit pas Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut turistët francezë me mjetet e tyre Citroen të viteve 1960 kanë përfshirë Voskopojën, krahinë të cilën e kanë eksploruar me mjetet e tyre. Turistët francezë pranojnë se janë mahnitur me bukuritë e natyrës shqiptare por mbi të gjithë me mikpritjen e ngrohtë.

“Në Shqipëri jemi për herë të parë, kemi ardhur me makinat tona të zemrës. Jemi shumë sepse jemi një grup që udhëtojmë nëpër botë, erdhëm dje në Voskopojë e mahnitem nga peishazhi, malet, fushat por mbi të gjithë ngrohtësia e njerëzve”

“Jam nga Franca, i pasionuar pas makinave retro, isha në Itali, Kroaci, Mal të Zi, Maqedoni dhe tani jemi ne vendin me te bukur ne Shqipëri. Natyra këtu është magjepsëse por edhe ju si njerëz më keni bërë përshtypje”.

“Jemi një shoqatë e Citroen nga Franca, 70 makina kemi sjellë, 160 franceze e po udhëtojmë në Ballkan. Ndaluam për një ditë në Voskopojë, këtu gjithçka është çlodhëse. Shqipëria është e bukur, pamjet, liqenet, njerëzit janë shumë të mirë” .

“Shqipëria ishte jashtë pritshmërive tona, nuk e prisnim këtë bukuri, këtë mikpritje, rrugë të bukura, I trajtoni mirë turistët, kam kuptuar qe ju dini te bëni turizëm “, thanë turistët.

Pas Voskopojës, intenerari i lëvizjes së francezëve është Kolonja, Përmeti, Gjirokastra dhe Berati.