Dyshimet në procesin e fundit të gradimit në Policinë e Kosovës ishte tema kryesore e raportimit të zyrtarëve të lartë të Inspektoriatit Policor në Komisionin parlamentar për Çështje të Sigurisë.
Në konkursin e fundit për të fituar gradën “rreshter” dyshohet se ka pasur shkelje të ndryshme gjatë testimit me shkrim që është mbajtur më 4 maj.
“Një prej pikave që do të sqarojë inspektimi ynë është pikërisht se a ka të drejtë gjenerata 54 të jenë pjesë e këtij procesi apo jo. Rregullativa, sipas informacioneve që i kemi, kërkon që të jenë dy vjet në gradën e policit të lartë që me gjasë kjo gjeneratë nuk e ka,” shprehet Kushtrim Hodaj, kryeshef i IPK.
Ky konkurs për gradën “rreshter” pritet edhe të pezullohet deri në përfundimin e hetimeve.
“E di që është një proces që është në zhvillim e sipër do të kujdesemi edhe për këtë pjesë, do të bisedojmë edhe me menaxhmentin e PK që ndoshta duhet të ketë një pezullim të përkohshëm derisa ne të dalim me raportin final në mënyrë që të mos ketë pastaj me efekte apo pamundësi për të evituar efektet që prodhon procedura,” shton Hodaj.
Deputetët kërkuan që pjesë e hetimit të bëhen edhe për ndërhyrje politike si dhe për procedurën e testimit.
“U përmenden gradimet që mund të jenë edhe politike, kisha një pyetje për kryeinspektorin: Gjenerata e 54 a janë fëmijë të eprorëve të policisë? Na e dimë kush janë eprorët e policisë dhe nëse vjen puna që mund të jetë edhe gradime politike le ti shohim edhe emrat e atyre që janë graduar,” shprehet Mefail Bajqinovci, deputet i LVV.
“Nëse ka mundësi me fut edhe çështjen pse nga sistemi shumë i avancuar i testimit në kompjuter ku kadetët dhe policët kanë marr rezultate në momentin që e ka dhënë përgjigjen e fundit është bërë një regres dhe është kthyer në teste me shkrim,” thotë Rashit Qalaj, deputet i PDK-së.
Inspektorati i Policisë së Kosovës ka pranuar rreth 1700 ankesa nga qytetarët gjatë vitit të kaluar ndërsa kishte rekomanduar pezullimin nga puna për mbi 70 efektivë.