October 2, 2024
Bota Lajmi i fundit

Ja çfarë i kërkoi Gjermania-Serbisë, Vuçiç dhe Scholz flasin për serbët e Kosovës dhe asociacionin

Është një video propagande që të kujton ato të presidentit rus, Vladimir Putin. Kështu Aleksandër Vuçiç tregon sa ka përparuar Serbia, por edhe që ka biseduar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz.

Përmes një deklarate tjetër, presidenti serb thekson se zhvilloi një telefonatë të mirë me shkëmbime të hapura mendimesh me shefin e qeverisë së Berlinit për Kosovën dhe ekonominë.

“Kancelarin Scholz e informova në detaje për gjendjen pothuajse të padurueshme për komunitetin serb në Kosovë, si dhe për shmangien e vazhdueshme të Prishtinës për të përmbushur detyrimet e saj të pranuara dhe të nënshkruara, veçanërisht në lidhje me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.”

Vuçiç më tej thekson se gjatë bisedës telefonike folën dhe “për të gjitha çështjet delikate në kontekstin e ngjarjeve aktuale globale dhe në veçanti diskutuan për rolin e Serbisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe për rrugën europiane”.

Nga ana tjetër, njoftimi nga zyra e kancelarit gjerman për këtë telefonatë ishte vetëm pak fjali, por me porosi të qarta, duke kërkuar rezultate konkrete në përmirësimin e raporteve dypalëshe.

“Kancelari theksoi rëndësinë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për të. Ai gjithashtu sqaroi angazhimet e Serbisë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.”

Kjo është një referencë e qartë që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, gjë të cilën e ka bërë vazhdimisht, duke shkelur marrëveshjen e normalizimit.