Kthimi i Manastirtit të Çorës në Xhami dhe minoriteti grek në Turqi, kanë qenë pikat e nxehta të takimit midis Kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis dhe Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
Për kryeministrin grek, Manastiri i Çorës është një monument i cili përbën një prani universale. “Ne patëm rastin të diskutonim sinqerisht për trishtimin dhe pakënaqësinë tonë për faktin se Manastiri i Çorës do të funksionojë tashmë si xhami.
Dëgjova atë që tha zoti President dhe besoj se së paku është e rëndësishme të mbrohet vlera kulturore e këtij monumenti që të vizitohet nga të gjithë dhe të gjithë ta shijojnë këtë thesar kulturor”, theksoi Mitsotakis.
Erdogan foli për minoritetin turk në Greqi ndërsa Mitsotakis theksoi se minoriteti është fetar dhe jo turk, duke cituar edhe traktatet ndërkombëtare. “Unë personalisht ndjehem i ofenduar. Në Traki, myslimanët dhe të krishterët bashkëjetojnë në mënyrë harmonike dhe unë jam i përkushtuar ndaj këtij qëllimi dhe interesi i shtetit grek është tek barazia, tha Mitsotakis.
Sakaq, Presidenti turk, ka mbajtur qëndrim për çështjen e Hamasit, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj qasjes së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis i cili e etiketon si organizatë terroriste. ‘Nëse e quani organizatë terroriste do të më trishtonte”, përfundoi Erdogan.