September 12, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

Nesër protesta e shtatë për largimin e Veliajt, Policia plan masash, bllokohet qarkullimi në bulevard

“Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, ka thirrur sërish nesër protestën e shtatë para bashkisë së Tiranës për largimin e kryebashkiakut Erjon Veliaj, pas akuzave për korrupsion të disa drejtorëve të këtij institucioni.

Duke qenë se protestat e mëparshme kanë qenë të tensionuara, ku është përdorur edhe molotov, Policia e Shtetit ka marrë sërish një sërë masash, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve në bulevardin kryesor pranë Bashkisë nga 09:30 dhe në vijim.

“Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, ditën e nesërme, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye, sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

Policia u bën thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune.

“Gjatë disa tubimeve të mëparshme, të zhvilluara nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në sheshin para Bashkisë Tiranë, janë evidentuar raste të përsëritura të kundërshtimit të forcave të policisë, përdorimit dhe hedhjes së molotovëve e sendeve të tjera, në drejtim të Bashkisë Tiranë, duke rrezikuar seriozisht jetën dhe shëndetin e punonjësve të policisë dhe vetë pjesëmarrësve në tubime. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune”.