Dy deri në tre vite në skenarin optimist dhe mbi pesë vite në rast se do të ketë zvarritje të procesit. Kaq kohë do i duhen Shqipërisë e Greqisë për të bërë të mundur njohjen e pensioneve për qytetarët e dy vendeve.
“Dy vite janë mjaftueshëm që pretendimet e dy palëve dhe pikat ku nuk ka dakordësi të axhustohen. Pastaj kryeministrat e dy vendeve apo përfaqësuesit me kompetenca të deleguara do të kenë rrugë të shtruar për të firmosur marrëveshjen,” shprehet Kujtim Hoxha, ekspert i sistemit të pensioneve.
Për gazetarin shqiptar në Greqi, Etmond Guri, më i pritshëm është skenari i dytë, ai i mbi 7 viteve pritje.
“Çështja “Beleri”, kthyer në fenomen ka acaruar marrëdhëniet mes dy vendeve. Greqia për herë të parë mori një kundërshti nga Shqipëria dhe sheshimi i marrëdhënieve do të dojë kohë.”
Por një vit pasi qeveria greke pranoi për herë të parë në mbi tre dekada për t’u ulur në bisedime për njohjen e pensioneve të shqiptarëve, pasuar nga dy takimeve në Athinë e Tiranë, kryeministri Rama është më optimist.
“Më në fund, me qeverinë aktuale greke, se me ato më përpara as nuk bëhej fjalë, kemi arritur të kthenim negociatat në nivel ekspertësh për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë.”
Po çfarë janë negociatat dhe nivel ekspertësh?
“Në nivel teknik do të thotë që administrata shtetërore me njerëzit që me anë vjetërsinë punës këtu dhe atje. Janë të gjitha detajet teknike për të shtruar rrugën drejt arritjes dhe zbatimit të marrëveshjes,” thotë Hoxha.
Greqia është shteti me numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë, mbi 670 mijë të tillë, ndjekur nga Italia, Maqedonia e Veriut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Gjermania.
Po pse mbi tre dekada pritje për njohjen e pensioneve me Greqinë, shtetin me diasporën më të madhe shqiptare?
“Çështje vullneti politik, por edhe ekonomik. Janë shumë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi dhe kjo i kushton shumë para vendit fqinj në rast të njohjes së pensioneve,” shpjegon gazetari Etmond Guri.
Në rast të arritjes së një marrëveshje, emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në fuqi do të ,mund të bashkonin vitet e punës në dy shtetet për të përfituar kështu dy pensione.