September 12, 2024
Kosova Lajmi i fundit

“Politikë urrejtjeje në Kosovë’’, Serbia: U ndalua vizita e patriarkut Porfirije

Autoritetet në Prishtinë i kanë ndaluar kreut të Kishës Ortodokse Serbe, patriarkut Porfirije, dhe shtatë peshkopëve tjerë, vizitën në Kosovë.

Këtë e bëri të ditur shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç. Sipas tij, përfaqësuesi më i lartë i Kishës Ortodokse Serbe do te merrte pjesë në Kuvendin e Shenjtë të Ipeshkve të Kishës Ortodokse Serbe në Patriarkanën e Pejës, ditën e martë.

Petkoviç tha se Zyra Ndërlidhëse e Beogradit, në përputhje me marrëveshjet dhe procedurat në fuqi, e kishte dërguar njoftimin për planet e vizitës në Pejë.

Me një politikë të tillë, të urrejtjes dhe intolerancës fetare, shtypjes dhe ndalimit, e ashtuquajtura Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës. Le ta mendojnë mirë këtë të gjithë ata përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare që mbështesin një politikë të tillë”, deklaroi Petkoviç.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se nuk do të lejohen vizita të tilla derisa “Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve shtetërorë në Serbi dhe për më tepër të mos ndalet me fushata kundër Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes”.