“Kryeministri shqiptar është i shqetësuar që Greqia sillet në kushtet e shtetit ligjor”.
Kështu është shprehur Petro Beleri, djali i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri për televizionin grek SKAI duke akuzuar Edi Ramën se kishte një objektiv të dyfishtë me tubimin që zhvilloi në Athinë.
Sipas tij, zgjedhja e datës 12 Maj për zhvillimin e takimit me emigrantët shqiptarë, “ka qenë sfidë” pasi “ka dashur të provokojë dhe të përgjigjet për kandidaturën e Belerit” si eurodeputet nga ana e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.
“Nuk mund të konsiderohet rastësi që pikërisht në të njëjtën ditë të vitit të kaluar, kjo u bë ndaj një kryetari të atëhershëm kandidat, pastaj kryetarit të zgjedhur dhe që nga ajo kohë një komuniteti të tërë himariotësh që as sot nuk e ka parë demokracinë në efekt në vendin e tyre. Nga ana tjetër ai donte të terrorizonte minoritetin etnik grek që jeton në Shqipëri. Besoj se ai dëshiron të mbledhë rrethin e tij të ngushtë dhe të dërgojë një mesazh terrori për pjesën tjetër të grekëve që kanë mbetur pas”, tha Petro Beleri.