Ish-kandidati për Kryetar Bashkie në Tiranë, Belind Këlliçi, tha se kjo protestë po bëhet për të ardhmen, që çdokush që vjedh buxhetin e shtetit, duhet të shkojë përpara drejtësisë.
I pranishëm në protestë, ai tha se prokuroria ka 2 rrugë, ose të çojë Erion Veliajn përpara drejtësisë, ose të pranojë se Altin Dumani, kreu i SPAK ka gënjyer, që në dosjen për inceneratorët e ka specifikuar se ideator i kësaj afere është pikërisht kryetari i Bashkisë së Tiranës.
“Keni vetëm 2 rrugë, ose Veliaj para drejtësisë për vjedhje për 132 mln euro që janë vjedhur në një incenerator që nuk ekziston, për 60 mln euro me aferën e dherave, ose do të bjerë reforma në drejtësi. I bëj thirrje prokurorit që po heton dosjen e inceneratorit, Dritan Prençi…Altin Dumani i ka përmendur 11 herë emrin e Veliajt në dosjen e inceneratorit, ka përmendur komunikimet dhe insistimet e Veliajt me Shkëlqim Canin dhe Arben Ahmetajt dhe e kanë vënë theksin që ideatori është Erion Veliaj. Ose gjej kurajo dhe thuaj që ka gënjyer Dumani, ose ço një hajdut si Veliaj para drejtësisë.”
Ai pati një mesazh dhe për qytetarët.
“Kjo betejë është një betejë qytetare dhe jo politike”, tha Këlliçi.