Në takim nuk i shkoi, por qëndrimin e tij e bëri të ditur. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes Facebook, akuzoi kryeministrin Albin Kurti se po kërkon shpëtimtarët e tij tek liderët e opozitës, pas 3 vitesh qeverisje.
Ai konfirmoi se AAK do të mbështesë kërkesën për shpërbërjen e parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të shefit të qeverisë, të cilin e bëri përgjegjës për të gjitha dështimet e Kosovës, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.
“Është aktualizuar së fundmi një nismë për shpërbërjen e Parlamentit. S’ka asnjë mëdyshje se prapa kësaj nisme është Kryeministri. Duket që po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet.”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK.
Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për zgjedhje të parakohshme, pas një takimi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Por shprehu dëshirën që ta caktojë bashkë me të gjitha forcat e tjera politike datën e zgjedhjeve.
“Për shpërndarjen e Kuvendit nevojiten 80 vota dhe LVV-ja nuk i ka. Njëkohësisht unë nuk do të preferoja që të shpërndahet Kuvendit me dy parti, apo tri. Pse mos të bëhemi të gjithë bashkë.”, shprehet Albin Kurti.
Krasniqi i PDK-së, pas takimit tha se zgjedhjet e parakohshme janë një domosdoshmëri, ndërsa kërkoi caktimin e një date.
“Do të ketë seancë të enjten, shpresoj që pas kësaj do të ketë seancë për t’u bashkuar për mocion për shpërndarje të Kuvendit… Është e domosdoshme që të ndodh brenda muajit maj sepse jashtë muajit maj nuk ka më kuptim. Në momentin që kalojmë në faza të mëvonshme, pasi 3-4 muaj para zgjedhjeve të rregullta s’ka asnjë kuptim.”, Memli Krasniqi, kryetar i PDK.
Krasniqi ishte lideri i vetëm opozitar që pranoi ftesën e takimit me Kurtin, ndërsa Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Haradinaj i AAK-së, refuzuan me arsyetimin se diskutimi për agjendën legjislative është kompetencë e Kuvendit.