September 12, 2024
Bota Lajmi i fundit

Parlamenti degradon në dhunë fizike në Gjeorgji! Moska: Faji i perëndimorëve

Parlamenti i Gjeorgjisë ka degraduar në dhunë fizikë mes deputetëve. Shkak është bërë miratimi i ligjit për organizatat jo qeveritare, të cilat nëse marrin mbi 20 përqind të financimeve nga vendet perëndimore do të etiketohen si ‘agjentë të huaj’. Ligji në fjalë përbën një regres për Tbilisin pasi do ta afrojë atë më tepër me Kremlinin.

Kjo ka nxitur protesta të mëdha në tërë vendin fqinj me Rusinë, për të cilën disa analistë theksojnë se mund të jetë Ukraina e ardhshme.

Pjesë e protestave janë bërë edhe studentët të cilët kërkojnë abrogimin e ligjit. Qindra studentë universitarë në kryeqytetin gjeorgjian bojkotuan mësimin, duke u bashkuar me mijëra protestues që kundërshtonin projekt-ligjin. Protestat janë ashpërsuar më shumë pasi kryeministri u zotua se parlamenti do ta miratonte projektligjin në fjalë. Kundërshtarët e projektligjit kanë organizuar protesta pothuajse çdo natë për afro një muaj.

Bashkimi Evropian ka thënë se ligji kërcënon kërkesën e Gjeorgjisë për t’u bashkuar me Unionin Europian. Partia në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ justifikohet me faktin se legjislacioni është i nevojshëm për të rritur transparencën e financimit të OJQ-ve dhe për të mbrojtur vendin nga ndërhyrja e fuqive perëndimore.

Sondazhet tregojnë se një shumicë dërrmuese e 3.7 milionë banorëve të Gjeorgjisë mbështesin anëtarësimin në Bashkimin Europian. ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ thotë se dëshiron t’i bashkohet unionit, si dhe aleancës ushtarake të NATO-s, pavarësisht retorikës së saj anti-perëndimore. I pyetur për mundësinë e sanksioneve nga vendet perëndimore që kundërshtojnë projektligjin, Presidenti i Gjeorgjisë reagoi duke i akuzuar ata për “shantazh”.