Policia ka shoqëruar në policia disa persona lidhur me vrasjen e efektivit Novruz Cenalia në Fier. Mes të shoqëruarve janë edhe prindërit e autorit, Azgan Mërnica, i shpallur tashmë në kërkim.
Në momentin e vrasjes Mërnica ka qenë në makinë me mamanë e tij, Ajete Mërnica. Në dëshminë e saj para policisë ajo ka deklaruar se sherri mes të rinjve nisi për kalimin në rrugën e ngushtë të fshatit. Më pas, sipas saj, ata dolën nga makinat dhe debatuan me fjalë. Në këto momente gruaja deklaroi se u tha të rinjve “mos, mos” disa herë por djali i saj me pas e qëlloi me pistoletë policin 28-vjeçar.
Ndërkohë 23-vjeçari vazhdon të jetë i lirë ndërsa vijojnë kërkimet intensive nga FNSH, RENEA dhe policia e Fierit për kapjen dhe arrestimin e tij. Gjithashtu mbeten të paqarta shkaqet që çuan në vrasjen e efektivit pak metra larg shtëpisë së tij. Cenaliaj ndodhej jashtë orarit të shërbimit kur u ekzekutua pasi ishte turn i dytë.
Deri më tani sipas policisë, pista kryesore e hetimit është konflikti i çastit. Por gjithashtu ka dyshime se dyshja mund të jenë njohur edhe më herët, për shkak të detyrës së viktimës. Sipas informacioneve vëllai i Azgan Mërnicës, Kiri Mërnica, aktualisht ndodhet në burg për tentativë vrasje. Ai u arrestua më 17 prill 2021 pasi bashkë me 3 të tjerë u përfshinë në një konflikt ku mbeti i plagosur Pashk Palnikaj. Kiri Mërnica në kohën kur ndodhi plagosja ndodhej në ‘arrest shtëpie’ Mërnica akuzohet si i përfshirë në një ngjarje të ndodhur në vitin 2019, ku u vra me armë zjarri 23 vjeçari Florian Selimi, me origjinë nga Tropoja dhe banues po në fshatin Sulaj. Ai u akuzua si një nga autorët e kësaj ngjarje, akuza që i mohoi.