Pika të shumta kontrolli kanë ngritur blutë e Fierit në të gjitha hyrje-daljet e qytetit për ndalimin e 23-vjeçarit Azgan Mërnica, që vrau ditën e djeshme policin e Forcave Shqiponja dhe që ende vazhdon të jetë i lirë.
Nga dje, në kërkim të 23-vjeçarit janë angazhuar forca të shumta policie, FNSH dhe ato të RENEA, por pa rezultat. Burime konfidenciale nga policia bëjnë me dije se janë shoqëruar disa persona të afërm dhe shokë të autorit. Kërkimet janë përqendruar në afërsi të fshatit Sulaj.
Ngjarja e rëndë ndodhi, pak pas mesditës së të hënës, në fshatin Baltëz të Fierit, ku 28-vjeçari Novruz Cenaliaj mbeti i vrarë me armë zjarri, teksa ishte i veshur me uniformë policie, pasi po shkonte të merrte detyrën.
Ndërsa autori i dyshuar është larguar me shpejtësi me një autoveturë ngjyrë blu. Grupi i posaçëm hetimor, ka nisur marrjen e provave në vendngjarje, si dhe pyetjen e dëshmitarëve, ndërsa ende nuk ka të dhëna të sakta mbi motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë.