September 11, 2024
Bota Lajmi i fundit

Zelensky do urgjentisht “Patriotët”, gjenerali rus arrestohet për ryshfet

Udhëtoi për 8 orë me tren për të dërguar personalisht lajme të mira në Kiev. Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, po zhvillon një vizitë surprizë në Ukrainë për të njoftuar se ndihmat nga Shtetet e Bashkuara janë rrugës dhe nuk do të vonojnë të mbërrijnë. Në zyrë e priti presidenti Volodymyr Zelenski, të cilin e garantoi për mbështetje të vazhdueshme nga Uashingtoni për t’i bërë ballë agresionit nga Rusia, me ushtrinë e Putinit që duket se është bërë gati për një ofensivë të re të dhunshme në front.

“Ne e dimë që kjo është një periudhë shumë e vështirë, por gjithashtu e dimë që ndihma është rrugës dhe do të mbërrijë shumë shpejt. Një pjesë ka ardhur tashmë, por do të ketë edhe më shumë. Kjo do ta bëjë diferencën kundër agresionit të vazhdueshëm nga Rusia në fushën e betejës”, tha Antony Blinken, sekretar shteti i SHBA.

Përballë vështirësive në front, Zelensky i kërkoi sekretarit të shtetit që Amerika të dërgojë të paktën edhe 2 sisteme të tjera raketore Patriot për të mbrojtur Kharkiv dhe pjesën tjetër të rajonit verilindor. Ukraina ka një defiçit të madh në sistemet anti-ajrore, tha presidenti duke e konsideruar atë si problemin më të madh të vendit.

Vizita e Blinken është e para pas miratimit të ndihmës prej 61 miliardë dollarë. Rusët pretendojnë se po avancojnë me ritme të shpejta në pushtimin e Kharkivit. Sakaq, Kievi vijon të bombardojë në territorin rus duke nxjerrë nga shinat një tren mallrash në rajonin e Volgogradit të goditur nga një dron. Moska thotë se ka rrëzuar 25 raketa në rajonin e Belgorodit.

Kjo vjen në një kohë kur shefi I Kremlinit përfundoi lëvizjet e reja në qeverinë e tij, duke emëruar si këshilltar, Nikolai Patrushev, i cili njihet dhe si kumbari Vladimir Putin në shërbimin sekret sovjetik, KGB. Ky riformatim i kabinetit u shënua dhe nga një skandal, pasi në të njëjtën ditë u arrestua dhe një gjeneral I lartë I ministrisë së mbrojtjes ruse mbi dyshime për marrje ryshfeti. Ndërkohë, Putin ka konfirmuar vizitën në Kinë më 16 dhe 17 maj, me ftesë të homologut Xi Jinping.