May 27, 2024
Bota Lajmi i fundit

2 minuta aksion, pamjet e sulmit ndaj furgonit të burgjeve ku u vranë dy policë

Janë publikuar pamjet e ngjarjes së rëndë të ndodhur një ditë më parë në Francë, ku dy oficerë policie kanë mbetur të vdekur, ndërsa 3 të tjerë u plagosën. Video e publikuar së fundmi tregon momentin kur autorët përplasin nga para dhe nga pas furgonin me të cilin po transportohej një kriminel.

Autoritetet franceze kanë aktivizuar të gjitha strukturat policore për kapjen e personit përgjegjës të tragjedisë, me nofkën “Mushkonja”. Kryeministri i Francës, Gabriel Attal, tha para Parlamentit se organizatorët dhe autori i ngjarjes do ta paguajnë shtrenjtë: “Do të bëhet gjithçka për të gjetur autorët e këtij krimi të neveritshëm. Ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje, asnjë mjet, do t’i gjurmojmë, do t’i gjejmë dhe, po ju them, do ta paguajnë. Ne ua kemi borxh viktimave. Ne ua kemi borxh familjeve dhe të dashurve të tyre”.

Autori përgjegjës është Mohames Amra, i arratisur nga burgu tashmë. Burimet policore për Reuters theksojnë se Amra është trafikant droge nga Franca veriore. Një nga burimet tha se Amra dyshohet se ka urdhëruar një vrasje në Marsejë dhe ka lidhje me bandën e fuqishme “Zezakët” e qytetit. Sakaq, autoritetet e policisë franceze bëjnë me dije se gjendja e tre personave të plagosur është kritike.