Ilir Meta me flamurin kuq e zi hedhur supeve poshtë dritares dhe ish-eurodeputeti gjerman, Elmar Brok krah tij, në shtëpinë e tij… në ditën e 134 të arrestit shtëpiak, Sali Berisha pati dy vizitorë jo fort të zakontë.
Për presidentin e Partisë së Lirisë kjo ishte e dyta herë pas 27 prillit që iu bashkua “Rrugicës së Shpresës” në shoqërinë e Erisa Xhixhos. Akuzave të vjetra për korrupsion e kontroll të drejtësisë, Meta i shtoi edhe ato të reja për shpopullim.
“Pasi bëri atë “show” me patronazhistët në Athinë, deklaroi se kishte filluar negociatat me të gjitha vendet e botës, me bangladeshasit se me ata e mbush facebook ai, me të gjithë proletaërt me qëllim që të legjitimonte largimin e shqiptarëve.”
Me gjithë masën e sigurisë që nuk e lejon të takojë askënd tjetër veç familjarëve pa një leje të posaçëm, nga dritarja e Berishës mbajti një fjalë mbështetëse ndaj tij, ish-eurodeputeti gjerman, Elmar Brok.
“Besoj që në një vend që do bëhet pjesë e BE, një burrë nuk duhet të ndalohet të jetë pjesë e parlamentit pa qenë me vendim final gjykate. Vendimet e Gjykatës Evropiane janë eksplicide. Kjo do të thotë që imuniteti nuk mund të merret pa vendim gjykate dhe kjo është pse ne kërkojmë anëtarësimin e Shqipërisë në BE.”
Duke folur për “qeveri teknike”, Sali Berisha berisha përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Rama se po kontrollon sistemin e drejtësisë.
“Dua t’u garantoj ju dhe mikun tonë të shquar se masat e pashembullta në historinë e Europës, vendosja e masave kufizuese nga afërmendshi, pa pyetur parlamentin, por konsideron Irena Gjokën ligj dhe parlament, pavarësisht nga këto, pavarësisht nga tmerri i Edi Ramës nga kthimi i Sali Berishës, pavarësisht nga çdo masë që do marrin, ne ecim të sigurt drejt qeverisë teknike.”
Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar pas vendimit të marrë nga gjyqtarja Irena Gjoka.
Ish-kryeministri dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohën kur Berisha ishte kryeministër, kanë kryer shkelje në procedurat e privatizimit të ish-kompleksit të klubit “Partizani”.