Gjeorgjia është futur në një spirale të rrezikshme dhe rrezikon marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu ka bërë të ditur Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, James O’Brien, gjatë një prononcimi për mediat. Zyrtari i lartë amerikan i bëri thirrja Gjeorgjisë që ligji për Organizatat joqeveritare të zbatohet duke respektuar normat e Bashkimit Europian.
“Nëse ligji zbatohet pa u përputhur me normat e BE-së dhe nëse retorikat kundër SHBA-së dhe partnerëve të tjerë vazhdojnë, mendoj se marrëdhënia është në rrezik. E theksoj se, nëse ligji zbatohet jashtë normave të BE-së dhe ka minim të demokracisë dhe dhunë kundër protestuesve paqësorë, atëherë do të shohim kufizimet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara. Ato priren të jenë kufizime financiare për individët përgjegjës dhe familjet e tyre”, tha James O’Brien, Ndihmës sekretari Amerikan i Shtetit.
Turma të mëdha protestuesish bllokuan rrugët në kryeqytetin e Gjeorgjisë dhe u përplasën me policinë jashtë ndërtesës së parlamentit, pasi ligjvënësit miratuan me 84 vota pro dhe 30 kundër, projektligj për organizatat joqeveritare, të cilat nëse marrin mbi 20 për qind të financimt do të konsiderohen agjentë të huaj. Kritikët e quajnë një kërcënim të stilit rus për lirinë e fjalës dhe të vendit, i cili në të njëjtën kohë aspiron për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Të paktën 13 persona u arrestuan dhe raportet e lajmeve gjeorgjiane flasin për persona të dëmtuar rëndë nga autoritetet policore.
Për studentin 20-vjeçar gjeorgjian, Irakli, udhëtimi pothuajse çdo natë për të protestuar jashtë parlamentit është pjesë e një beteje më të gjerë ku ai dhe brezi i tij kanë një rol të veçantë për të luajtur. “Ne vendosëm të protestojmë, vendosëm të mos shkojmë në leksione. Por unë mendoj se universiteti është hapur. Por nuk ka studentë. Ata vendosën të mos shkojnë në leksione sepse situata në vend është e vështirë. Nuk ka kohë për të studiuar diplomaci, gjëra për marrëdhëniet ndërkombëtare, sepse nëse qëndrojmë në shtëpitë tona, nuk do të kemi të ardhme”.
Qeveria e Tbilsit thotë se projektligji është i nevojshëm për të frenuar ata që ajo i konsideron si aktorë të huaj të dëmshëm që përpiqen të destabilizojnë politikën në kombin e Kaukazit Jugor me 3.7 milionë banorë.