October 2, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

Goditje për Veliajn? Balluku në SPAK për inceneratorin e Tiranës: Ka ardhur koha të ndahet puna e ndershme nga abuzimi i pafalshëm

ZëvendësKryeministrja Belinda Balluku ka shkuar papritur në SPAK kur është pyetur për 3 orë. Ndërsa aludimet jashtë ishin të ndryshme, vetë Balluku e sqaroi kur doli se ishte thirrur si person në dijeni për dosjen e Inceneratorit të Tiranës, dosje për të cilën 2 javë më parë u thirr Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.

Por, mesa duket arsyet e thirrjes kanë qenë të ndryshme, pavarësisht se motivacioni zyrtar i SPAK ishte thirrja si person në dijeni. Ndërsa Veliaj për një moment e pranoi se kishte dhënë sqarime për firmat dhe vendimet e veta, Balluku, foli për kontrastin mes të mirës dhe së keqes, me ndershmërisë dhe abuzimit të pafalshëm.

Ishte një thirrje për dosjen 255, që është dosja e inceneratorit të Tiranës. Duhet të jepja disa sqarime që besoj të kenë shërbyer në zbardhjen e kësaj dosje. Kjo është ndarja e vërtetët e pushteteve. Qeveria ka punën e saj, parlamenti ka punën e tij dhe drejtësia ka punën e saj dhe ne jemi këtu për ta mbështetur. Kjo është një dosje që ka bërë pis të madh e të vogël dhe ka ardhur koha të zbardhet, për të ndarë njëherë e mire të mirën nga e keqja, punën e ndershme nga abuzimi i pafalshëm”, tha Balluku.

Deklarata e fortëqë zv/ Kryeministrja lëshoi në duke dalë nga SPAK u duk si një goditje për Veliajn. Disa muaj me parë nga dosja 255 doli një korrespondencë e Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës që ajo drejton me Bashkinë e Tiranës, ku i kërkohej Veliajt të sillte 2 anëtarët e Njësisë së Zbatimit të Projektit për të kontrolluar punën e kompanisë provate në Inceneratorin e Tiranës. Bashkia nuk i çoi kurrë dy anëtarët, duke bërë të pamundur funksionimin e NJZP dhe duke i dhënë mundësinë kompanisë IEBV të mos zbatonte projektin sipas kontratës.

Pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet për të cilat Balluku ka dëshmuar sot, por nuk duhet nëse e ekspozoi Veliajn si fajtorin e vërtetë, ashtu si duket se bëri pasi doli nga SPAK, duke e reshtuar te “e keqja” dhe “abuzimi i pafalshëm”.