Një ngjarje e rëndë po ndodh në Tiranë, teksa 6 familje që preken nga projekti Thumanë-Kashar kërcënojnë se do t’i vendosin flakën vetes me benzinë. Prej kohësh këta dhe qindra banorë të tjerë po protestojnë për pasojat e koncesionit të rrugës Thumanë- Kashar, por qeveria është e vendosur të mbajë anën e oligarkut Bashkim Ulaj dhe kompanisë së tij “Gener 2”.
Raportohet se ata kanë mbushur shishet me benzinë dhe kanë hipur në tarracën e banesës së tyre, teksa mes tyre ka dhe fëmijë. Banorët shprehen se nëse u prishen banesat, ata mbeten në qiell të hapur. Nga ana tjetër, IKMT sapo ka mbërritur dhe është në pritje të urdhrit për shembjen e banesave. 6 familjet, që kanë në përbërje 32 anëtarë në total, nuk janë në skemën e dëmshpërblimit.
“Neve duan të na prishin shtëpitë. Ne duam dëmshpërblim ose çelësat në dore. O hyrjet ose dëmshpërblim. Unë do digjem këtu. Kemi nga dy muaj që na kanë ardhur rreth e rreth shtëpisë. S’kanë marrë fare masa për ne. Kemi shkuar në rajon, nuk na kanë vlerësuar. Jemi 6 familje, 40 veta”, tha një prej banoreve.
“Na thane që dëmshpërbleheni, pastaj na thanë që nuk do merrni asgjë. Nuk na kanë ardhur asnjë njoftim se kur do të shembet. Vetëm ditën e djeshme na kanë sjelle në procesverbal nga IKMT që duhet të lironi banesën. Kemi ngelur në rrugë. Kemi 30 vjet që banojnë këtu. Kemi shkuar për legalizim, por të tjerët paguanin lekët dhe ai kthenin lekët mbrapsht. E gjithë zona tjetër është me letra, vetëm ne jo”, tha një tjetër.