October 2, 2024
Sociale

Paradë me motorë dhe bamirësi, grupi nga Gjermania dërgon ndihma në Pogradec

Nëntë kamionë me pajisje shkollore dhe spitalore për personat me aftësi të kufizuara kanë mbërritur në Pogradec nga Gjermania prej shoqatës së motoristëve Bikerbrummihilfe të cilët krahas pasionit që kanë për motorët ndihmojnë dhe shtresat në nevojë. Ata shprehen të lumtur që arrijnë të japin kontribut në Pogradec, një qytet që sipas tyre karakterizohet nga njerëz të mirë dhe mikpritës.

“Më pëlqen shumë Pogradeci. Për mua është hera e parë këtu por kam dëgjuar fjalë shumë të mira dhe ja ku jam. Më pëlqen dhe i kaloi pritshmëritë e mia. Kësaj radhe kemi sjellë më së shumti materiale për shkolla dhe kopshte, për të vegjlit të cilët janë e ardhmja e vendit. Po ashtu, edhe disa gjëra për të moshuarit në mënyrë që të kujdesemi për ta. Jemi gjithmonë të lumtur për faktin që ndihmojmë, çdokush prej nesh ka dëshirën e madhe për të ndihmuar e për të qenë bujarë. Jemi shumë të lumtur që këtë gjë po e bëjmë në Pogradec, kemi miq, njohim njerëz për të ardhur këtu përsëri si edhe për të vazhduar bashkëpunimin dhe miqësinë tonë. Me shumë mundësi po, kjo është hera e dytë që vijmë dhe s’ka arsye për se të mos vijmë për herë të tretë apo të katërt. Më pëlqen shumë këtu, njerëzit janë shumë të këndshëm e miqësorë, kemi marrë një mikpritje të ngrohtë nga Dritani dhe të tjerët në qytet, nga policia dhe njerëzit në hotel. Me të vërtetë që është shumë këndshëm këtu dhe shumë bukur”, tha Hannes Nielsen, anëtar i grupit të motoristëve.

Paradë me motorë dhe bamirësi, grupi nga Gjermania dërgon

Jiliana Dita shpjegon për A2 CNN si lindi ideja për vizitën në Pogradec nga Gjermania. “Kjo shoqatë është mysafire në restorantin ku unë drejtoj dhe menaxhoj me pronar Valdet Ramën në Gjermani dhe gjatë bisedës i kam pyetur për misionin që bënin. Më treguan që ndihmojnë vendet e Ballkanit duke çuar pajisje për spitale, për shkolla e kopshte dhe sigurisht më lindi ideja për të ndihmuar qytetin tim Pogradecin. Këtë nismë ne e finalizuam në vitin 2022 dhe rrallë ndodh që këta të shkojnë dy herë për një kohë kaq të shkurtër në të njëjtin vend. Duke parë situatën në disa fshatra dhe në disa shkolla të fshatrave, këtu dua të falënderoj dy mësues shkolle Mikael Ymeraj dhe Eftinoj Jakupi, të cilët më kanë ndaluar një ditë në rrugë dhe më thanë “Juliana, ne kemi nevojë për pajisje për shkollat tona, për banka e karrige”. Mi çuan me foto dhe unë e bisedova përsëri me shoqatën, me kryetarin e saj dhe u votua nëse do ti sillnin përsëri ndihmat në Pogradec. Me shumicë votash u votua që të silleshin përsëri këtu. Janë 9 kamionë që kanë ardhur me pajisje për shkolla, kopshte, për invalidët dhe shumë të tjera. Pjesën më të madhe kemi dëshirë që ta shpërndajmë në Mokërr, në fshatrat e thella por edhe në qytet gjithashtu”.

Paradë me motorë dhe bamirësi, grupi nga Gjermania dërgon

Kjo formë bamirësie shoqërohet edhe me adrenalinën e paradës së motorëve nëpër rrugët e qytetit e cila nuk ka munguar në mbrëmje, ku të rinjtë dhe të pasionuarit pas motorëve kanë parë numra të ndryshëm spektakli edhe pse koha ishte me shi. Kamionët me ndihma shkollore dhe mjekësore kanë si fokus kryesor fillimisht zonën e Mokrës dhe më pas në fshatrat e tjerë përreth Pogradecit.