Një marrëdhënie abuzive e shoqëruar vazhdimisht me dhunë dhe fyerje të vazhdueshme, u mbyll në mënyrë tragjike për 40-vjeçaren shqiptare, Enkelejda Danaj, e cila u vra me thikë nga ish-bashkëshorti i saj dhe u la e pajetë në mes të rrugës në Athinë. Ende nuk dihen shkaqet që e kanë çuar burrin drejt aktit ekstrem, ndërsa raportohet se 40-vjeçarja e kishte denoncuar tre herë ish-bashkëshortin për dhunë në familje, por ky i fundit është lënë i lirë nga policia vendase.
Në një video të publikuar nga Protothema.gr, dëgjohen zërat dhe lutjet e gruas për ndihmë gjatë një përleshjeje të ashpër mes viktimës dhe autorit të ndodhur mbrëmjen e së hënës së kaluar. 40-vjeçarja dëgjohet duke i bërtitur ish-bashkëshortit të saj, që ta linte të qetë pasi siç i thotë ajo janë tani të divorcuar. Mbrëmjen e 6 majit, pak pas mesnate, Eduarti në gjendje të dehur, e ka sharë dhe kërcënuar Enkelejdën dhe në një moment teksa ajo ka tentuar të lajmërojë policinë, e ka kapur për qafe. Vajza e tyre, e cila ishte e pranishme, lajmëroi policinë.
“Do të të vras fëmijë p…” dëgjohet duke bërtitur në video 50-vjeçari, i cili ishte jashtë kontrollit. Ngjarja ka përfunduar me ndërhyrjen e policisë, siç shihet nga fenerët e patrullave të policisë që kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje.
Në të njëjtën kohë, banorët e pallatit ku çifti jetonin disa muaj më parë flasin për zënka të shpeshta dhe zëra që dëgjohenin nga banesa. Një grua ka përshkruar një ngjarje të dhunshme të ndodhur gjatë Javës së Shenjtë, kur 50-vjeçari kapi viktimën dhe e kërcënoi para dy fëmijëve të tyre të vegjël.
“Kanë ardhur dhe e kanë marrë nga Policia pas sherreve. Në një rast ai u mbajt për dy ditë dhe më pas u lirua. Dhe para të Shtunës së Madhe vajza thirri policinë dhe e morën pasi e kishte kapur në rrugë dhe e kishte tërhequr zvarrë. Vajza kishte dalë me të bijën dhe kur po ktheheshin e panë në një cep dhe u ndalën për t’i thënë “çfarë do?” dhe ai e tërhoqi atë dhe ajo thirri drejtpërdrejt policinë. Ai zihej edhe me fëmijët, sidomos me vajzën. Po dëgjonim zëra”, tregonte ish-fqinja e tyre.