November 30, 2024
Lajmi i fundit Sociale

HISTORI NJERËZORE/ 19-vjeçari në Kukës, i cili ka refuzuar emigracionin, zbulon ‘sekretin’ që largon stresin

Ai nuk është larguar në emigracion si shumica e të rinjve nga Kukësi dhe zonat e tjera përreth. Prej 10 vitesh Nevajet Palinci, përveç punëve në fshat, i është përkushtuar hipizmit.

Një sport që kërkon vullnet, dëshirë dhe përkujdesje të jashtëzakonshme.
19-vjeçari asnjëherë nuk e humbet mundësinë për të garuar me kuaj, teksa në zonën e Gorës ky sport po përhapet gjithmonë e më shumë.

HISTORI NJERËZORE/ 19-vjeçari në Kukës, i cili ka refuzuar

“Për herë të parë kur kam hipur në kalë kam qenë 9-vjeç 10 maksimumi. E kam qejf të vrapoj me kuaj, në zemër, në gjak, që të merrem me kuajt”, tregon ai, për Report tv.

Emri i kalit me të cilin garon quhet Zogi, por megjithatë ai nuk është i vetmi për të cilin kujdeset, pasi kuajt janë pasioni që e shoqëron nga mëngjesi në darkë.
“Duhet të çohesh në orën 6 të mëngjesit që të kujdesesh për kalin. Ta ushqesh, në drekë në darkë, por edhe pas darke. Me e nxjerr që të pijë ujë dy herë dhe të merresh me të në stërvitje. Kjo punë duhet përsëritur çdo ditë”, na rrëfen.

Në fshatin e Gorës në Kukës Nevajet Palinci nuk është i vetmi që zhvillon pasionin për hipizmin. Ai thotë se ka një arsye se përse ai është i lidhur kaq shumë pas kuajve.  “Adrenalinë është kur vapron. Të largon streset e të gjithë të këqijat e tjera. Shkoj në zero sërish”, thotë Nevajet Palinci.

Në Gorë hipizmi është një sport tradicional, që zhvillohet sa herë në fshat ka dasma. E njëjta gjë ndodh edhe në Novosej, Shishtavec dhe Borje dhe fshatrat e tjerë të Kukësit.