Presidenti rus Vladimir Putin është i përgatitur për një luftë totale me Ukrainën. Udhëzimet e tij shefi i Kremlinit i dha gjatë takimit me Ministrin e ri të Mbrojtjes, Andrei Belusov, Sekretarin e Këshillit të Sigurimit, Sergei Shoigu, dhe gjeneralët e lartë.
Putin tha se puna e ushtrisë po vazhdonte sipas planit të miratuar nga Shtabi i Përgjithshëm: “Tani do të them një gjë shumë të rëndësishme: ne duhet ta arrijmë të zhvillojmë prodhimin ushtarak, duke iu përmbajtur pa kushte parimeve të një ekonomie të shëndetshme dhe duke respektuar parimet makroekonomike. Kjo është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme. Në asnjë rrethanë nuk duhet të lejojmë asnjë mospërputhje në ekonomi dhe industri”.
Forcat ruse kanë hapur një front të ri në rajonin e Kharkivit, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, duke e detyruar Kievin të organizojë ushtarë të rinj për t’i dërguar në vijën e frontit. Putin theksoi se udhëheqja ruse duhet të bëjë gjithçka në fuqinë e saj për të siguruar që trupat të kenë të gjitha burimet e nevojshme për të kryer me sukses detyrat e tyre në Ukrainë.
“Ne duhet të përdorim maksimalisht të gjitha burimet tona administrative për të siguruar detyrën kryesore, punën e suksesshme të njësive tona luftarake në linjën e kontaktit në kuadër të një operacioni të posaçëm ushtarak”, deklaroi Putin.
Sakaq, Shtetet e Bashkuara me anë të Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken kanë bërë të ditur se nuk janë duke e inkurajuar Ukrainën për të sulmuar territoret ruse, por thekoi Blinken i takon Kievit të marrë vendimin se si do të reagojë.
Blinken, gjatë takimit me Presidentin Volodymyr Zelenskyy, anonçoi për herë të parë paketën e re të ndihmës prej 2 miliardë dollarë.