Përpjekja për vrasjen e kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, ishte e motivuar politikisht. Kështu është shprehur në një konferencë për shtyp jashtë ambienteve të spitalit, ministri i Brendshëm i Sllovakisë, Matush Estok.
Ai tha se informacioni bazohet në “intervista fillestare me të dyshuarin”. Kjo tentativë për vrasje ishte e motivuar politikisht dhe i dyshuari mori vendimin për ta bërë atë menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale, shtoi ministri i Brendshëm. Sipas tij, autori e ka qëlluar shefin e qeverisë sllovake 5 herë dhe si pasojë ai ndodhet në gjendje tepër kritike për jetën.
“Kryeministri ndodhet në gjendje kritike. Është akoma në sallën e operacionit. Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta hetuar këtë ngjarje. Operacioni ka vazhduar për tre orë e gjysmë. Gjendja e tij mjekësore është vërtet shumë komplekse”, tha Estok.
Sakaq, autoritetet e Sllovakisë kanë bërë me dije se kanë arrestuar atentatorin e Kryeministrit Sllovak, Robert Fico. Ai është një 71-vjeçar. Emri dhe motivet e këtij atentati nuk bëhen të ditura për mediat.
Incidenti tronditi Sllovakinë, një komb i vogël i Evropës Qendrore me pak histori të dhunës politike. Partnerët e Sllovakisë në Bashkimin Evropian dhe NATO dënuan të shtënat. Një dëshmitar i Reuters dëgjoi tre ose katër të shtëna ndërsa Fico doli nga një ndërtesë për të shtrënguar duart me një turmë njerëzish që prisnin ta përshëndesnin. Më pas, policia ka përplasur një burrë në tokë.
Reagimi i fundit për këtë ngjarje vjen nga Presidenti amerikan Joe Biden, i cili shprehu alarmin për tentativën për vrasjen e kryeministrit sllovak, duke e quajtur atë një “akt të tmerrshëm dhune”.
I ashpër ishte edhe reagimi i Presidenti rus Vladimir Putin. Ai e priti lajmin me indinjatë, citojnë mediat vendase. Sipas Putin, “ky krim i urryer nuk mund të justifikohet”.