December 5, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

Nuk dezinfektoi shkollën ku u kafshua 10-vjeçarja nga gjarpri në Lundër, e pëson administratori i firmës

Policia e Tiranës njofton nisjen e procedimit penal për administratorin e një firme që merret me dezinfektimin e ambienteve, fill pas ngjarjes së rëndë, ku një vajzë 10-vjeçare u kafshua nga gjarpri në ambientin e jashtëm të shkollës private ku ajo shkonte.

Sipas policisë, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. H., 40 vjeç, banues në Tiranë, pasi nuk ka marrë masa për dezinfektimin e shkollës, dhe si pasojë një nxënëse, është pickuar nga një gjarpër.

“U referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm Tiranë, dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. H., 40 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një firme që merret me dezinfektimin e ambienteve. Ky shtetas, sipas kontratës së nënshkruar me një shkollë private në Lundër, dyshohet se nuk ka marrë masa për dezinfektimin e shkollës, dhe si pasojë një nxënëse, është pickuar nga një gjarpër.”, thotë policia.

Ndërkohë, në njoftimin e policisë së Tiranës njoftohen edhe disa arrestime të tjera të kryera për vepra të ndryshme penale.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin R. D., 45 vjeç, banues në Kodër Kamëz, pasi dyshohet se në mënyrë të përsëritur ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin A. M., 38 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur një biçikletë, në Kamëz.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan shtetasen A. K., 39 vjeçe, banuese në Tiranë, pasi dyshohet se ka përndjekur një shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.”, thuhet më tej në njoftimin e Policisë së Tiranës.