October 2, 2024
Lajmi i fundit Politikë

Rama flet nga Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE: Të vazhdojmë planet e përbashkëta zhvillimore!

Kryeministri Edi Rama merr pjesë sot në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, dhe Bashkimit Europian, i cili mbahet në Kotor, Mali i Zi, me fokus Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor.

Pak para nisjes së Samitit, në një komunikim për gazetarët, Rama tha se ky proces është shumë i rëndësishme për të krijuar mundësit të reja për vendet e Ballkanit. Ai shtoi se ky proces gjithashtu krijon mundësi për t’u integruar në Bashkimin Europian.

“Mirëmëngjesi, Faleminderit! Pikë së pari doja t’iu thoja që jam mjaft i zhgënjyer që Mali i Zi nuk ia doli të na priste me diell, por na mirëpriti me shiun gjerman. Megjithatë për pjesën tjetër është çdo gjë në rregull dhe ne do të zhvillojmë një seancë tjetër të këtij procesi mjaft frymëzues dhe inkurajues që do të çelë shtigje të reja për të gjitha vendet e Ballkanit për të bërë të mundur integrimin në tregun e përbashkët të Bashkimit Europian dhe për të nxitur tregtinë, ndërkohë që krijon mundësi të reja për qytetarët tanë. Shpresojmë që brenda këtij viti të sigurohemi që transfertat financiare të qytetareve tanë nga BE në vendet tona do të jenë shumë më të lira, sepse nuk do të kemi barrën e shpenzimeve që kanë e nëse do të bëhet do të jetë një gjë shumë e mirë. Për pjesën tjetër na duhet të punojmë.”, u shpreh Rama.

Më pas, Rama mbajti fjalën e tij në Samitin BE-Ballkani Perëndimor. Rama foli për ecurinë pozitive të planit të ri të rritjes ekonomike dhe hapat në vijim për zbatimin e tij. Ai shtoi se tashmë është koha që rajoni të bëhet pjesë e BE.

Rama tha se kishin përgatitur plane për reforma individuale kemi identifikuar çështje që duhet të sillen përpara dhe shto se kanë nisur përgatitje për tregun e përbashkët.

“Ardhja në Kotorr është një kënaqësi e madhe dhe dëshiroj ta nis duke shprehur përveç zhgënjimeve edhe entuziazmin për atë që po ndodh dhe dua të falënderoj Komisionin për punën që kanë për ne. Kur palët flasin me njëra tjetrën mund të kemi shumë arritje. Progresi që kemi arritur në pesë muajt e kaluar që nga takimi në Shkup flet vetë. Kemi përgatitur plane për reforma individuale, kemi identifikuar çështje që duhet të sjellim përpara dhe kemi nisur përgatitje për tregun e përbashkët. Duhet të vazhdojmë planet zhvillimore. Synojmë të jemi gati deri në vitin 2027, presim që Komisioni të finalizojë hartën rrugore”, tha ndër të tjera kryeministri Rama në fjalën e tij në këtë samit.

Kujtojmë se, ky takim rajonal që zhvillohet nën logon “Një rajon, vizion i përbashkët”, pason takimet e mëparshme të këtij niveli mes liderëve, në Tiranë dhe në Shkup, ku është diskutuar gjerësisht mbi Planin, që synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e BP.

Në nisje të punimeve të Samitit, Kryeministri Rama dhe liderët e tjerë të rajonit u pritën nga Kryeministri i Malit të Zi Milojko Spajić.

Samiti është i konceptuar në dy panele, përkatësisht: “Angazhimi dhe planet e së ardhmes”, si dhe “Kontributi për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal”, me pjesëmarrjen liderëve të rajonit, si dhe Komisionerit të BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi dhe Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Në Samit janë  të pranishëm drejtues e përfaqësues të organizatave partnere si Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Evropiane e Investimeve, Banka Botërore, përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian, etj.