Kryeministri malazez Milojko Spajiç ia doli të bënte bashkë sot në Kotorr në të njëjtën tryezë, Albin Kurtin, Edi Ramën dhe Aleksandër Vuçiç.
Liderët e rajonit u bënë bashkë në samitin e tretë rajonal për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, bashkë me komisionerin Oliver Varhelyi, por ajo çka ra në sy ishte qëndrimi i kryeministrit Edi Rama përkundrejt Albin Kurtit.
Midis dy kryeministrave ka pasur një takim shumë të ftohtë në nisje të samitit. Në imazhet që janë bërë virale në rrjet shihet një shtrëngim i ftohtë duarsh, me Ramën që nguron madje të ngrihet prej karriges ku qëndron i ulur, në momentin kur Kurti zgjatet për ta përshëndetur.
Kurti më pas takon edhe zyrtarin e DASH, O’Brien që është ulur pranë Ramës, ndërsa shefi i qeverisë shqiptare e ndjek me sy komunikimin e të dyve.
Kujtojmë se kjo ishte përballja e parë e Ramës, Kurtit dhe Vuçiç pas shumë kohësh. Kreu i qeverisë së Kosovës nuk mori pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në Tiranë më 16 tetor të vitit të shkuar dhe iu drejtua asokohe të pranishmëve me një videomesazh.