Sqarimet e kërkuara nga Tirana zyrtare, duke thirrur ambasadorin serb për deklaratat e zv/kryeministrit Vulin, duket se vijuan edhe në tryezën e samitit BE-Ballkani perëndimor, organizuar në Kotorr të Malit të Zi. Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç u panë të diskutonin gjatë me njëri-tjetrin, si para mbledhjes ashtu edhe në pauzat mes njërit diskutim dhe tjetrit. Problemeve të fqinjësisë, shefi i Qeverisë shqiptare i kushtoi jo pak vëmendje, duke dalë përtej tekstit të përgatitur të fjalimit.
“Nga njëra anë, flasim për gjëra kaq të mëdha dhe duam të shihemi dhe të miratohemi si shtete anëtare, shtete anëtare europiane sa u takon mënyrës sesi sillemi dhe ndërkohë vazhdojmë të bllokojmë veten. Kjo nuk ka kuptim. Duhet ta lëmë politikën dhe çështjet dypalëshe dhe çfarëdolloj që ekziston mes nesh jashtë kësaj hapësire sepse sido që të jetë, në qoftë se bëjmë gjithçka në mënyrën dhe stilin europian brenda kësaj hapësire, kjo do të lehtësojë dhe paqësojë edhe atmosferën për të gjithë në mënyrë që të merren me çështjet dypalëshe”, tha Rama.
Ndonëse pa emra të përveçëm, Rama iu referua marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Më konkret në këtë drejtim u tregua homologu i tij i Prishtinës, që kishte jo vetëm një mesazh për Serbinë, por edhe për Europën.
“Nëse ka një mesazh që dua t’i dërgoj BE-së nga Kotorri, është ky: verifikoni progresin demokratik dhe reformat europiane në rajon e më pas bazoni politikat mbi ato të dhëna. Marrëdhëniet e mira fqinjësore në rajonin tonë, me njohje të ndërsjellët faktike dhe de juro, janë të domosdoshme për paqe, siguri dhe integrim. Ndaj kërkoj nga Serbia që ta dorëzojë Milan Radoiçiqin në Kosovë dhe gjithashtu dhe grupin e tij paramilitar që e kanë vrarë rreshterin tonë Afrim Bunjaku më 24 shtator të vitit të shkuar”, u shpreh Kurti.
Kur radha i erdhi President serb, Edi Rama nuk hezitoi ngacmimin, duke i vënë para celularin që kronometronte gjatësinë e fjalimit, duke shkaktuar hilaritet në sallë. Kartës së demokracisë, luajtur nga Kurti, Vuçiç iu përgjigj me atë të ekonomisë, por duke shmangur një përplasje direkte në replika.
“Do të ishte shumë e lehtë për mua t’i përgjigjesha politikisht ndokujt këtu që nuk mund të thonë asgjë për ekonominë dhe nuk kanë thënë asgjë asnjëherë për ekonomitë e tyre, por janë gjithmonë gati t’i japin leksione politike kujtdo, jo vetëm mua, por kjo nuk do të bënte sens. Do të dukesha sita dhe do të bëj më të mirën time për ta evituar diçka të tillë. Faleminderit edhe njëherë dhe besoj, Edi, se fola goxha më pak se ti, ndonëse ti nuk e mate minutazhin tënd, por mos u shqetëso se e bënë njerëzit e mi”, tha Vuçiç.
Vuçiç e mbylli mikrofonin me nota pesimizmi, teksa shprehu bindjen se asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk do të mund të anëtarësohet në BE para Ukrainës. Një qasje në kontrast me optimizmin e eurokomisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, që po përgatitet të mbyllë mandatin e tij.
“Oferta që Europa ka vënë mbi tryezë duhet të na çojë në ciklin tjetër institucional ku zgjerimi do të ndodhë. Komisioni i ardhshëm Europian duhet të jetë një Komisioni zgjerimit, që në përfundim të mandatit të vet do të shohë anëtarë të rinj të bëhen pjesë. Jam i sigurt se me sa kemi bërë së bashku në këtë mandat, Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e atij zgjerimi. Me mjetet që kemi vënë në dispozicion, nuk do të ketë më justifikime për Ballkanin Perëndimor që të mos jetë gati deri në 2027 për t’u bashkuar me Unionin Europian”, tha Varhelyi.
Samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor pritet të mbahet në Sarajevë.