September 11, 2024
Lajmi i fundit Politikë

“Shqipëria e 2030 duhet të jetë gati për në BE”, Rama ftesë opozitës nga Mali i Zi: Të bëjmë më të mirën për reformën antikorrupsion

Kryeministri Edi Rama, ka hedhur poshtë akuzat e opozitës se rezoluta anti-korrupsion e PS ka si për qëllim kapjen e drejtësisë. Në një bashkëbisedim me gazetarët nga Mali i Zi, Rama u shpreh se këto janë spekulime. Kreu i qeverisë thotë se ishte ai dhe PS që çuan para reformën në drejtësi dhe e mbështesin atë pa ekuivok.

 “Ky është muhabet kot. Në rast se do imagjinohej diçka e tillë do duhej të kalonte përmes ndryshimeve kushtetuese. Si mundem unë të kem një synim të tillë kur isha unë me PS që i dhamë jetë SPAK dhe i japim sot mbështetjen pa kushte dhe deri më sot nuk e di të kemi hap ndonjëherë gojën për të komentuar veprimtarinë e SPAK”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se me opozitën duhet të krijohet një zonë e ndaluar për sherret, në mënyrë që të bashkëpunojnë për reformat. Në një bashkëbisedim me gazetarët, Rama tha se draft rezoluta për reformën antikorrupsion ka kaluar në Kuvend dhe duhet t’i nënshtrohet procedurës parlamentare.

Nuk jam në dijeni, se është depozituar draft rezoluta në parlament, do të ketë procesin e saj, njësoj si kemi bërë me reformën në drejtësi, do ta bëjmë në të gjitha rastet pjesën tonë. Për çështje të caktuara kërkohet një konsensus edhe më i gjerë. Edhe sepse në fund të ditës, të gjitha partitë nuk e diskutojnë që destinacioni është BE. Të krijohet një hapësirë, një zonë e ndaluar për sherret që të mund të vazhdojnë në hapësirat e tjera dhe aty të flitet me gjuhën e ekspertizës dhe jo me gjuhën e shthurur të politikës të ditës,” tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ka komentuar deklaratën e Aleksandër Vulin në lidhje me Shqipërinë e Madhe. Duke folur nga Mali i Zi, Rama tha se pas të 40-ve çdo njëri mban përgjegjësi për fytyrën që ka. Duke shtuar se nëse do të shihet fytyra e Vulin, nuk ka nevojë për asnjë koment tjetër.

“Një njeri i mençur ka thënë se pas të 40 çdo njeri mban përgjegjësi për fytyrën që ka, nëse e shikoni fytyrën e personit të cilit i referoheni, mendoj se s’ka nevojë për asnjë koment tjetër,” tha Rama.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qëllimi është Shqipëria e vitit 2030 të jetë gati për tu ulur në tryezën e BE-së. Duke folur pas përfundimit të Samitit në Malin e Zi, Rama theksoi se Shqipëria duhet që të bëjë detyrat e shtëpisë dhe të meritojnë anëtarësimin në BE.

“Ne kemi qenë në themelin e të gjithë ndryshimit. Qëllimi është që Shqipëria në 2030 të jetë gati për tu ulur në tryezën e BE. Këmbëngulja ime ka qenë që ndërsa bëjmë detyra e shtëpisë që ta meritojmë anëtarësimin duhet të dinë që duhet më shumë mbështetje dhe të hapen rrugën në tregun e përbashkët pa qenë nevoja të jemi anëtar”, tha ai.