Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Greqi ku një 40-vjeçare shqiptare u godit për vdekje me thikë nga burri i saj Eduart Danaj. Një dëshmitar i cili kishte në pronësi një lokal pranë vendit ku ndodhi krimi ka treguar për mediat vendase se lajmin e mësoi nga një kliente, e cila sipas tij ka parë gruan e shtrirë në tokë dhe ka bërë thirrje për ndihmë.
“Në mëngjes vij në orën 05:10, pi kafen dhe hyn një kliente. Më thotë ‘mbylle derën, mos e hap derën se kanë vrarë një vajzë këtu, kam marrë Policinë’. U tremba dhe nuk e pyeta. Vajza bërtiste ‘ndihmë, ndihmë’ dhe thirri policinë”, thotë ai.
40-vjeçarja Enkelejda Danaj, u gjet e pajetë mëngjesin e kësaj të enjte në kryqëzimin e rrugëve Parnithos dhe Aristotelous, një nga pikat më qendrore të Menidit në Greqi. Ajo është goditur me thikë në bark nga ish-bashkëshorti i saj, Eduart Danaj 50-vjeç me origjinë nga Vlora. Ende nuk dihen shkaqet që e kanë çuar burrin drejt aktit ekstrem, ndërsa raportohet se 40-vjeçarja e kishte denoncuar më herët ish-bashkëshortin për dhunë në familje. Ky i fundit është shpallur në kërkim nga policia vendase.