December 10, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit

Aplikimet shënojnë rënie, puna në shtet nuk po i josh shqiptarët

Rritja e pagave nuk po josh shqiptarët për të punuar në shtet. Për 1 mijë e 82 vende të lira të shpallura vjet në administratën publike pati 14 mijë e 584 aplikime. Thënë ndryshe, gjatë 2023 pati 13.5 aplikime për një vend pune, ndërkohë që në vitin 2022 ky tregues ishte 17.9 aplikime për çdo pozicion të lirë.

 

“Duhet të kemi parasysh që rritja e rrogave nuk prek të gjitha pozicionet. Nuk është se ka uniformitet. Privati vijon të ketë paga më të mira dhe më shumë larmishmëri pozicionesh. Kmei gjithashtu shumë individë që vetëpunësohen,” shprehet Helena Halilaj, pedagoge, eksperte e tregut të punës.

 

Të dhënat nga Departamenti i administratës Publike tregojnë se nga gati 1 mijë e 100 pozicione të shpallura vjet, u zunë vetëm 838 prej tyre. Thënë ndryshe u mbushën vetëm 77.5 për qind e vendeve bosh.

 

“Mosplotësimi i vendeve bosh vihet re veçanërisht te kategoritë e mesme dhe të larta të specialistëve. Kjo nga frika e SPAK. Kanë frikë se firmat e hedhura mund t’iu sjellin pasoja ligjore.”

 

Shqetësimi për mosplotësimin e vendeve bosh në administratën publike e ngriti në fillim të muajit edhe ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja.

 

“Unë ju ftoj të gjithëve të klikojnë në faqen e DAP-it, unë ju ftoj të gjithë të provojnë dhe njëherë tjetër të punojnë në shtet. Unë e kuptoj se shumë janë të zhgënjyer. Kanë frikë për të firmosur, kanë frikë nga hetimet.”

 

Në total, me gjithë bashkitë, administrata publike shqiptare përbëhet nga mbi 184 mijë punonjës. Këtë vit, shpenzimet për të paguar rrogat e tyre janë planifikuar në masën 119.7 miliardë lekë.

 

Kjo shifër është sa 5% e gjithë Prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë në një vit.