October 9, 2024
Lajmi i fundit Politikë

Caktohet data e gjyqit për vulën e Partisë Demokratike

Gjykata e Apelit në Tiranë ka caktuar 11 qershorin (ora 10:00) si datën kur do të rinisë sërish gjykimin e vulës dhe statutit të Partisë Demokratike që është kthyer në fushë beteje mes grupit të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.

 

Realtore e çështjes është caktuar gjyqtarja Alma Ahmeti, ndërsa pjesë e trupës gjykuese janë Iliba Bezati dhe Elona Toro që do të rishqyrtojnë në vijim, betejën e nisur që në vitin 2021.

 

Çështja për vulën e Partisë Demokratike u rikthye në Apel pas vendimit të Gjykatës së Lartë me 27 dhjetor 2023.

 

Gjykata e Lartë e riktheu në Apel çështjen e vulës së Partisë Demokratike për të marrë vendim në themel për vendimin e mëparshëm të Agron Zhukrit, që i la vulën e PD-së Sali Berishës. Thënë ndryshe, Gjykata e Lartë e detyron Apelin që të marrë një vendim, nëse qëndrimi i Agron Zhukrit, i cili ia dha vulën Sali Berishës është i drejtë apo i gabuar. Pra është Gjykata e Apelit, ajo që duhet të thotë fjalën e fundit, se kujt i takon vula e PD-së, Sali Berishës apo i Lulzim Bashës, e jo ta kthente çështjen në shkallën e parë.

 

Rikthimi në Apel i vulës së Partisë Demokratike, për Sali Berishën është një tregues se si Gjykata e Lartë është e kapur nga kryeministri Edi Rama. Berisha deklaroi në atë kohë se duhet të ishte e drejtë njohja e vendimit të Agron Zhukrit.