Për të nxitur sa më shumë përdorimin e rrugëve elektronike për pagesa, qeveria do t’u japë nga 10 mijë lekë në muaj 300 qytetarëve në Tiranë, Dibër e Përmet. Nisma që ka për qëllim të dekurajojë pagesat “cash” ka nisur të zbatohet në Dibër me përzgjedhjen e 100 fituesve.
“Programi konsiston në një aplikacion që do përdoret për kryerjen e pagesave në disa njësi tregtare, në markete ushqimore, në furra buke, në bar-kafe, në librari, në farmaci. Kemi përzgjedhur 100 individë të cilët për një periudhë 4 mujore do marrin 100 mijë lekë të vjetra për t’u përdorur në njësi tregtare, për tu shpenzuar për konsumin”, tha Delina Ibrahimaj, ministre për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
100 fituesit në qarkun e Dibrës, në grup-moshat nga18 vjeç deri 70 vjeç u përzgjodhën rastësisht nga Drejtoria e Gjendjes Civile.
“I gjithë grupi që është përzgjedhur ka një diversitet dhe sidomos gratë kryefamiljare kanë qenë traget i këtij projekti. Suksesi i projektit që po prezantohet do të na japë mundësinë që të kemi projekte të tjera dhe përse të mos pilotohen në Dibër. Unë do të kërkoja bashkëpunimin tuaj. Këtu po përgatitet të vijë një pjesë fondeve për të mbështetur projekte dhe do të ulemi të diskutojmë bashkë se cilat projekte do të ulemi të aplikojmë”, u shpreh Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Pas takimit me fituesit e përzgjedhur, ministret Belinda Balluku e Delina Ibrahimaj testuan nismën e re të qeverisë në një farmaci e bibliotekë të qytetit të Peshkopisë.
Ulja e qarkullimit të parasë “cash” është një nga objektivat e qeverisë edhe në agjendën e luftës kundër ekonomisë informale.