June 5, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

U kap me 113 mijë euro në Audi/ Kush është ish-efektivi i RENEA-s i shpallur në kërkim nga SPAK?

Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër arreste për 3 efektivët e Policisë së Shtetit në kuadër të operacionit të sotëm. Bashkë me Erigert Mitrin, i cili më herët ka mbajtur pozicionin si drejtues i Policisë Lezhë dhe Klodian Jasharin, është edhe emri i Altin Morinës, ish-efektiv i RENEA-s

 

Ish-shefi i stërvitjes pranë repartit special RENEA në Tiranë, Altin Morina u arrestua më 14 mars të vitit 2023 me 113 mijë euro në makinë të padeklaruara. Morina u lirua nga qelia më 16 prill 2023. Asokohe para gjykatës, Morina deklaroi se paratë i kishte marrë nga një biznesmen, pak minuta para se të arrestohej.

Kush është Altin Morina?

 

39-vjeçari është prej vitesh pjesë e strukturës policore. Karriera e tij ka nisur në strukturën e sotme të AMP, (Agjencia e Mbikqyrjes Policore), ish-SHÇBA e dikurshme. Altin Morina punoi në vitin 2012 në SHÇBA dhe më pas kaloi në radhët e Policisë, ku qëndroi si oficer në Komisariatin nr.3 në Tiranë. Nga atje, karriera e tij njohu vetëm rritje, pasi më pas drejtoi komisariatin e Policisë në Ballsh. Nga Ballshi, Morina kaloi në RENEA ku ishte në detyrë deri në momentin e arrestimit. Ka dyshime se përveç lidhjes me eksponentë të caktuar të krimit në Shqipëri, ish-efektivi mund të ketë qenë i përfshirë në dhënien e parave me fajde.

 

Deri më tani nuk ka ende asnjë njoftim zyrtar nga SPAK mbi urdhër arrestet e ekzekutuara për personat që akuzohen si të implikuar në ngjarje të rënda që përfshijnë vrasje, apo organizata kriminale. Ndërkohë raportohet se i gjithë operacioni është vazhdimësi e hetimeve për të shumëkërkuarin Ervis Martinaj, fati i të cilit vijon të jetë mister.