November 29, 2024
Bota Lajmi i fundit

Athina kërcënon Shkupin me integrimin, Mitsotakis ultimatum Mickoskit: Përdor vetëm Maqedonia e Veriut!

E dënuar nga SHBA dhe BE, retorika e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut ka vijuar edhe gjatë kësaj jave, me kryeministrin e sapozgjedhur Hristian Mitcovski që ka deklaruar se do ta quajë vendin vetëm Maqedoni dhe i ka kërkuar Athinës të shkojë në Hagë për këtë çështje dhe të mos përzihet në punët e brendshme të Shkupit.

 

Deklaratat e Mickoskit dhe Presidentes së re Gordana Silanovska-Davkova duket se kanë alarmuar Greqinë dhe tensionin mes dy vendeve nuk ka mundur ta fshehë shefi i qeverisë helene, Kyriakos Mitsotakis.

 

Në një intervistë për ERT, ai ka paralajmëruar VMRO-në që të ndalë provokimet dhe të respektojë plotësisht Marrëveshjen e Prespës që parashikon njohjen e vendit me emrin “Maqedonia e Veriut”.

 

“Dëshiroj t’i dërgoj një mesazh paralajmërues qeverisë së re, të respektojë dispozitën qendrore të Marrëveshjes së Prespës, të përdorë emrin e Maqedonisë së Veriut, përndryshe do të krijojë problem, jo në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, por edhe të Evropës dhe Maqedonisë së Veriut”, tha ai, duke i kujtuar qeverisë së Shkupit deklaratat dënuese të Ursula von der Leyen dhe Charles Michel.

 

Në veçanti, siç përmendi Mitsotakis, ka pasur ndërhyrje të drejtpërdrejta të qeverisë së Athinës për të informuar BE-në për qasjen që po ndjek partia nacionaliste që sapo fitoi zgjedhjet.

“Unë personalisht kam ndërhyrë për të informuar lidershipin e Bashkimit Evropian për deklaratat e Presidentes së Maqedonisë së Veriut. Dënime pati si nga Presidenti i Komisionit ashtu edhe nga Presidenti i Këshillit dhe nga Shtetet e Bashkuara. Pra, besoj se do të ushtrohet një presion i përgjithshëm mbi udhëheqjen e Maqedonisë së Veriut.”

 

Mitsotakis sqaroi se qeveria greke nuk do të çojë për ratifikim tre memorandumet vijuese që parashikon Marrëveshja e Prespës, duke krijuar precedentë që pengojnë rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE. Ai i cilësoi ato si “armët shtesë” të Athinës përballë furisë nacionaliste të Mickoskit.

 

“Ne kemi parë se çfarë po ndodhte në Maqedoninë e Veriut për një kohë të gjatë. Ne po dëgjonim këtë furi nacionaliste të VMRO-së , e dinim se VMRO do t’i fitonte zgjedhjet dhe donim të ruanim disa armë reale negociuese në rast se gjërat nuk shkonin siç mund të prisnin disa. Dhe e konsideroj të paimagjinueshme, në kufi me absurditetin politik dhe diplomatik, që SYRIZA, që është ai që na ka ngarkuar me këtë marrëveshje me probleme, të vijë dhe të kërkojë tani që shohim se Shkupi ndjek një linjë krejt tjetër, që ne tani ratifikojnë memorandumet. Çfarë kuptimi ka kjo? E kam vërtet të vështirë ta kuptoj. Ne do ta bëjmë absolutisht të qartë se asnjë përparim në këtë rrugë, rrugën e gjatë të Shkupit drejt Evropës, nuk mund të arrihet pa respektimin absolut të marrëveshjes së Prespës për çështjen e emrit”, nënvizoi ai.