November 28, 2024
Lajmi i fundit Politikë

Ish-kryeministri e quan mashtrim, Rama: Berisha nuk donte lirimin e të burgosurve politikë

Frederik Ndoci ishte i ftuari i Edi Ramës në podcastin “Flasim”, me të cilin Kryeministri rikujtoi kohët e Akademisë së Arteve, si dhe përfshirjen në lëvizjen studentore të fillim viteve ’90.

 

Ndonëse kantautori nënvizoi distancimin e tij nga politika, pohoi afeksionin e së motrës ndaj Partisë Demokratike.

 

Kryeministri shfrytëzoi mundësinë e krijuar, për të deklaruar se Sali Berisha kishte qenë kundër lirimit të të burgosurve politikë.

 

“U thashë të lutem mos ikni pa firmosur peticionin për presidentin Ramiz Alinë në atë kohë. Të rishikohet figura e Enver Hoxhës dhe të lirohen të burgosurit politikë. Aty ishin 700 vetë. Peticioni u firmos nga 200 vetë. E çuam tek Presidenca, më pas e çuam tek Rilindja Demokratike, gazeta që nuk e botoi. Më pas lideri legjendar( Sali Berisha) i Ritës kur kemi qenë tek Stadiumi që do mbanim fjalën tha: Ju nuk keni vend këtu se doni të nxirrni llumin e shoqërisë nga burgu, të burgosurit politikë dhe Kasem Trebeshina i shkretë atëherë tha: Ikim se fëmija paska lindur i vdekur.”

 

Berisha reagoi përmes rrjeteve sociale, duke e quajtur mashtrim pretendimin e Ramës.

 

“Partia Demokrtatike në të gjitha protestat e saj në mbarë vendin doli me sloganin “Lironi vëllezërit tanë” dhe denoncoi në arenën ndërkombëtare mashtrimin e etërve të Edi Ramës se Shqipëria kishte vetëm 100 të burgosur politik.”

 

Me protestat dhe denoncimet e saj arriti t’i imponojë regjimit lirimin e të burgosurve politik të cilet nga burgjet dhe kampet u anëtarësuan në radhët e PD-së dhe u zgjodhën në të gjitha strukturat drejtuese të saja.

 

Shpifjet dhe trillimet e Edi Ramës dëshmojnë thjesht pafytyrësi. Berisha i bëri apel Ramës të distancohet nga veprimet e të atit gjatë diktaturës komuniste.