Me goditjen e shtatë grupeve kriminale nga Prokuroria e Posaçme dolën në dritë edhe më shumë detaje nga “lufta” mes grupit të të shumëkërkuarit Ervis Martinaj dhe grupit të Durim Bamit. Dosja e SPAK zbardhi përgjimet e SKY ECC që zbuluan dhe aleatët dhe rivalët e dy grupeve të mëdha, mes tyre edhe emra të politikës.
Ish-deputeti socialist, Arben Ndoka zgjodhi të vepronte në aleancë me grupin e “mbretit të bixhozit” Erviis Martinajn. Grupi i Ndokës e kryente veprimtarinë e tij kriminale në qytetin e Lezhës. Dyshja e sipërpërmendur për arritjen e synimeve kriminale kontaktuan anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit dhe rekrutuan vrasës me pagesë të cilët vepronin në zonën e Fushë–Krujës dhe në zonën e Burrelit. Grupit të Martinajt i erdhi në ndihmë edhe Viktor Ymeri i cili akuzohet për vrasjen e biznesmenit Vajdin Lame dhe Klodian Saliu, ngjarje të ndodhura në vitin 2005. Gjithashtu edhe Emiljano Shullazi nga burgu 313 i erdhi në ndihmë Martinajt dhe Ndokës për vrasjen e Durim Bamit.
“Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga këta veprime kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri –tjetrit.
Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi Ervis Martinaj, i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi Arben Ndoka. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale Ervis Martinaj, kontakton shtetasin Viktor Imeri, i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit Fatmir Hyseni. Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka, vijnë edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe A.Avdylaj, të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë Ervis Martinaj dhe Arben Ndoken, në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e Durim Bamin etj. Emiljano Shullazi kontakton me të hetuarin T.B, të cilit i kërkon vrasjen e Durim Bamit. Po kështu Emiljano Shullazi siguron informacione për lëvizjet e Durim Bamit. Dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit Arben Ndoka.” thuhet në njoftimin e SPAK.
Një tjetër grup mjaft i fortë i përmendur në dosjen e SPAK është ai i Durim Bamit i cili vepronte në zonën e Fushë Krujës. Në konfliktet e hapura dhe rivalitetin me Martinajt, Bamit i erdhënë ndihmë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka. Grupit të tij iu bashkua edhe Fatmir Hyseni i vënë në shënjestër nga Martinaj për vrasjen e Santiago Malkos, krahu i tij i djathtë, ish-polic.
Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi Durim Bami, i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit Ervis Martinaj dhe Arben Ndoka. Grupi kriminal i drejtuar nga Durim Bami, bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit Ervis Martinaj dhe që drejtohet nga shtetasit Leonard Duka dhe Fatmir Hyseni persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e Ervis Martinajt dhe Arben Ndokes dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.
Leonard Duka, është arrestuar në Belgjikë pas shkëmbimit të informacionit mes policisë shqiptare dhe asaj belge. Rivali i Marinajt mësohet se ka kërkuar azil në Belgjikë, por pritet që kërkesa e tij të refuzohet dhe të ekstradohet në vendin tonë për llogari të drejtësisë shqiptare.
Nga operacioni i SPAK u lëshuan urdhërarreste për 50 persona, ku 14 prej tyre janë ekzekutuar në Shqipëri dhe 6 jashtë vendit ku falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologë të tyre është bërë e mundur arrestimi i shtetasve shqiptarë në Itali (2 persona), Gjermani (1 person) dhe Spanjë (1) dhe Belgjikë (2). Gjithashtu janë sekuestruar pasur me vlerë 4.5 milionë euro, nga të cilat 3 milionë euro cash janë gjetur dhe sekuestruar vetëm në banesën e Ervis Doçit i njohur ndryshe me pseudonimin Visi i Pojës.
28 emrat e zbardhur deri më tani për të cilët janë lëshuar urdhër arreste:
1- Leonard Duka – Arrestuar në Belgjikë
2- Erlis Duka – Në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos
3- Astrit Avdylaj – Në kërkim për sigurim kushtesh për të kryer vrasje
4- Altin Avdylaj – Shijak
5- Valter Bami – Krujë
6- Durim Bami – Në kërkim i strehuar në Dubai, sigurim kushtesh për të vrarë Marklen Hakën
7- Endrit Dokle – Durrës
8- Plarent Dervishaj –Në kërkim si pjesë e bandës së Durrësit
9- Arben Ndoka, ish-deputeti i PS – Në kërkim, i përmendur në dosjen “Metamorfoza
10- Xhevi Ndoka – vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka
11- Fatmir Hyseni alias Doçja – Fatmir Hyseni alias Doçja në kërkim për vrasjen e Santiago Malkos dhe atentatin ndaj Inez Hajrullës
12- Albert Zaja, i arrestuar në 2021 dhe i dënuar për vrasjen e Shkëlzen Kastratit
13- Armando Ndreca, vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca
14- Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të deputetit të PS, Eduard Ndreca
15- Miri Bruli- Shkoder
16- Lulzim Berisha, i arrestuar në Spanjë
17 – Ergert Mitri – Polic, ish-drejtori i policisë Lezhe
18- Klodian Shahini – ish punonjës policie kufitare
19 – Altin Morina – Ish efektiv i RENEA-s
20- Marklen Haka -i lakuar si i përfshirë në ngjarje kriminale,
21- Arjan Tuku, arrestuar në Itali
22- Denis Meta, arrestuar në Spanjë
23- Naim Stafuka – Fushe Kruje – Arrestuar
24- Samuel Ndoka – nipi i Arben Ndokës
25- Aldo Avdylaj nipi i Astritit, sigurim kushtesh për të kryer vrasje
26- Santilo Basho- i arratisur nga burgu, masa i është komunikuar në burg
27- Viktor Imeri, në burg për vrasjen e Klodian Saliut e Vajdin Lames
28- Ervis Doçi njohur si “Visi i Pojës”.