December 6, 2024
Bota Lajmi i fundit

Publikohen pamjet fundit të presidentit iranian përpara incidentit, ende mister fati i tij

Mediat e huaja kanë publikuar pamje të tjera nga ngjarja që ndodhi në Iran ku presidenti Ebrahim Raisi u përfshi në një aksident ajror dhe nuk dihet ende fati i tij. Helikopteri me të cilin ai po udhëtonte u rrëzua në një zonë pyjore.

Ndërkohë moti i keq me mjegull ka përfshirë zonën dhe sipas autoriteteve vendase kjo i vështirëson edhe më shumë punën e ekipeve të shpëtimit. Kërkime të gjera po zhvillohen edhe me ekipe të pajisura me dronë.

Mediat vendase përpos pamjeve nga ekipet e shpëtimit kanë publikuar edhe pamjet e presidentit të Iranit, përpara se helikopteri me të cilin udhëtonte të zhdukej. Ai shihet i qetë, teksa është me ekipin e tij shoqërues, pjesë e së cilës ishte edhe ministri i Jashtëm.

Presidenti iranian Raisi, udhëtoi në provincën e Azerbajxhanit Lindor për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Digës Qiz Qalasi me Presidentin e Azerbajxhanit.

Përveç presidentit, në bord me të ishin edhe: Mohammad Ali Al Hashem, imam i Tabrizit; Hossein Amirabdollahian, Ministri i Jashtëm i Republikës Islamike; Malik Rahmati, guvernator i Azerbajxhanit Lindor; piloti, një bashkë-pilot, kreu i ekipit të mbrojtjes dhe një nga rojet. Ende nuk dihet fati i tyre.

SHIKONI VIDEON