October 9, 2024
Kronikë Lajmi i fundit

42-vjeçarit në Tiranë i sekuestrohen 300 mijë euro pasuri

Pasuri me vlerë 300.000 euro i janë sekuestruar një 42-vjeçari dhe familjarëve të tij, gjatë një operacioni të realizuar nga Drejtoria e Pastrimit të Parave në policinë e Tiranës.

Në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive në emër të shtetasit Gj. (Sh.), Ll., 42 vjeç, dhe të familjarëve të tij. Në zbatim të këtij vendimi, u sekuestrua një automjet, një garazh dhe një njësi tregtare në Selitë, vlera e të cilave arrin rreth 300.000 euro.

Dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga 42-vjeçari, të cilin autoritetet italiane e kanë dënuar me burgim, për trafikim lëndësh narkotike në sasi të mëdha, kryer në bashkëpunim.