Në pasuri të paluajtshme, automjete e bizhuteri, duke përdorur shqiptarë e shtetas të huaj kryesisht në Ishujt Kajman e Afrikën e Veriut, vitin e shkuar u identifikuan shtatë skema të pastrimit të parave.
Të dhënat nga Agjencia e Inteligjencës Financiare të përmbledhura në raportin e vitit të shkuar tregojnë se gjatë 2023-shit u bllokuan e më pas u sekuestruan rreth 1.1 milionë euro.
Vlera e parave që grupet kriminale u përpoqën të pastronin vjet, por që u kapën nga Inteligjenca Financiare është 2-fish më e ulët se gjatë 2023-shit dhe 8 fish më e pakët se në 2019-n.
“Në mendimin tim ka shumë më shumë raste për t’u shqyrtuar dhe shumë më shumë vepra ende të paregjistruara. Këto janë vlera të parave të kapura, por fenomeni është shumë më shumë i gjerë.”, thotë Edison Zaçaj, pedagog, ekspert ekonomie.
Të dhënat nga Agjencia e Inteligjencës Financiare tregojnë se vitin e shkuar, më shumë se gjysma e skemave të identifikuara të pastrimit të parave përfshiu edhe bizneset.
“Përdoren kryesisht bizneset në fushën e shërbimeve. Ato janë më të vështirat për t’u gjurmuar”, vijon Zaçaj.
Të dhënat nga Agjencia e Inteligjencës Financiare, për bankat, pikat e këmbimit valutor apo noterët vitin e shkuar pati gjithsej 1 mijë e 728 sinjalizime për pastrim parash. Në raport me vitet e mëhershme, “Raporti i aktivitetit të dyshimtë” pësoi një ulje të lehtë.
Kryesisht në Policinë e Shtetit dhe Prokurorinë e Posaçme SPAK, “Inteligjenca Financiare” përcolli 220 raste të dyshuara të pastrimit të parave, 4 raste më pak se në vitin 2022.