September 11, 2024
Aktualitet Denonco Kronikë Lajmi i fundit Më të lexuarat

Dosja “5D”/ BKH zbarkon në bashkinë e Tiranës dhe UKT

Prokuroria e Posaçme ka thelluar hetimet rreth dosjes “5D”, në kuadër të të cilës u arrestuan 3 bashkëpunëtorët më të ngushtë të Erion Veliajt, Mariglen Qato, Redi Molla e Taulant Tusha, që akuzohen për korrupsion e shkelje të barazisë në tendera, mosdeklarim pasurie etj.

Së fundmi, BKH, me kërkesë të SPAK, ka ushtruar kontrolle në zyrat e Bashkisë së Tiranës dhe Ujësjellës Kanalizimeve, ku janë sekuestruar disa dokumente.

Tashmë që është faktuar se drejtorët vetë hartonin projekte, shpallnin hapje procedurash, përcaktonin fituesit dhe ishin përfituesit e kontratave, është duke u hetuar edhe mbi zbatimin e këtyre projekteve.

SPAK ka kërkuar nga Bashkia dhe drejtoritë përkatëse të dhënat mbi zbatimin e projekteve, shumat përkatëse, kush kanë qenë kostot në raport me zbatimin. Të dhëna janë kërkuar edhe nga VAS konstruksion, paraardhëse e “5D konstruksion”.

Burime të besueshme thonë se janë duke u grumbulluar nga organi i akuzës të gjitha dosjet e prokurimeve publike ku në disa prej tyre autoritet kontraktor është Bashkia Tiranë.