Llangozi shprehet se agjentët e BKH i kanë sekuestruar celularin Nallbatit, pasi dyshojnë se ai ka pasur kontakte me krimin. Teksa sipas avokatit, del dhe te përgjimet e ‘Sky’…
Aksioni i SPAK i pak ditëve më parë ka ringjallur debatet sa i takon rezultateve. Duke qenë se ata që u arrestuan ishin të gjithë në burg, ka pasur dyshime se operacioni u dekonspirua. Janë afro 30 emra që nuk dihet se ku janë.
Lidhur me këtë ka folur avokati Arben Llangozi, i cili ka plasur “bombën”. Sipas tij, SPAK dhe BKH dyshojnë se operacioni u dekonspirua nga ai që kishte për detyrë të drejtonte operacionin, Neritan Nallbati, Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale.
Në një intervistë, Llangozi shprehet se agjentët e BKH i kanë sekuestruar celularin Nallbatit, pasi dyshojnë se ai ka pasur kontakte me krimin. Teksa sipas avokatit, del dhe te përgjimet e ‘Sky’. Sipas tij, fjala e Dumanit se ka zyrtarë shumë të lartë të policisë të lidhur me krimin, doli.
“Kemi 50 urdhra ndalimi dhe nga këto janë ekzekutuar vetëm 20. Shumica në kushtet e paraburgimit. Policia në një far mënyrë ka dështuar në ekzekutimin e tyre dhe lindin dyshime se policia ka bashkëpunuar dhe ka njoftuar grupet për të mos u ekzekutuar këta urdhra ndalimi.
Në dijeninë time dhe ajo që Dumani ka thënë para KLP, se kemi implikime në nivelet e larta të policisë, është e vërtetë. Pasi në dijeninë time, BKH ka sekuestruar telefonin e një drejtuesi të policisë, ose më saktë ka të bëjë me zotin Nallbati. Telefoni i zotit Nallbati është sekuestruar nga BKH. Ai ka dal në bisedat e SKY dhe dyshohet se ai ka cenuar ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Kjo është folur në korridoret e SPAK. Kemi implikim në nivelet më të lart të nivelet policisë”, tha ai.
SPAK njoftoi se gjatë megaoperacionit u lëshuan 50 urdhër-arreste, si dhe janë sekuestruar pasuri me vlerë mbi 4.5 milion euro ku përfshihen: automjete luksoze, sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri, sasi të mëdha floriri dhe bizhuterish.
Sipas Prokurorisë se Posaçme, gjatë këtij operacioni janë goditur shtatë grupe kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen.
Nga 50 urdhër-arreste, në Shqipëri janë ekzekutuar 14 prej tyre, dhe 6 jashtë vendit ku falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologë të tyre është bërë e mundur arrestimi i shtetasve shqiptarë në Itali (2 persona), Gjermani (1 person) dhe Spanjë (1) dhe Belgjikë (2).
Gjithashtu në njoftim thuhet se grupi i Ervis Martinaj ka pasur aleancë me grupin e Arben Ndokës. Martinaj ka kërkuar ekzekutimin e F.Hysenit. Sipas SPAK, Martinaj është ndihmuar nga Emiljano Shullazi. Po ashtu, thuhet se Martinaj u ndihmua nga Aldo Avdylaj. Në njoftim saktësohet se është zbardhur vrasja e Shkëlzen Kastratit.