Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe ai i Republika Srpska janë nisur për në Nju Jork, aty ku do të mbahet edhe sesioni i Kombeve të Bashkuara për rezolutën e Srebrenicës.
Përpara nisjes, lideri serb ka bërë një ndalesë pranë Kishës së Shën Savës në Vraçar, aty ku mori edhe bekimin, siç thotë Vuçiç, nga Patriarku Porfirio.
“Po shkoj në Nju Jork për të luftuar me gjithë forcën dhe zemrën time për të ardhmen e vendit tonë”, tha Presidenti i Serbisë.
“Ata që janë kundër nesh janë të fortë, por Serbia është shenjtërorja jonë më e madhe. Ka shumë gënjeshtra, por e vërteta është një dhe e përjetshme”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.
Sakaq, teksti për rezolutën e Srebrenicës është tashmë gati. Pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, Beogradi zyrtar dhe autoritetet e entitetit serb të Bosnje-Hercegovinës, Republikës Srpska, nuk e pranojnë të jetë kryer gjenocid në Srebrenicë.