October 9, 2024
Bota Lajmi i fundit

Ndër to edhe presidenti Raisi/ Kush janë zyrtarët që humbën jetën nga rrëzimi i helikopterit në Iran?

Presidenti i Iranit Ebrahim Raisi humbi jetën pas rrëzimit të helikopterit ditën e djeshme. Së bashku me Raisin në bordin e helikopterit ishin edhe disa zyrtarë të lartë iranianë.

Zyrtarët përfshijnë:

Ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian

Guvernatori i Azerbajxhanit Lindor, Malek Rahmati

Përfaqësuesi i liderit suprem iranian në Azerbajxhanin Lindor, Mohammad Ali Ale-Hashem

Shefi i gardës presidenciale Mehdi Mousavi

Piloti, bashkëpiloti dhe ekuipazhi i helikopterit

Përplasja e helikopterit ditën e djeshme ndodhi teksa Raisi dhe ministri i Jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian po ktheheshin nga një ceremoni për hapjen e një dige në kufirin e Iranit me Azerbajxhanin, njoftoi media shtetërore.

Pamjet me dron të rrënojave të helikopterit të marra nga Gjysmëhëna e Kuqe dhe të transmetuara në median shtetërore Agjencia e Lajmeve FARS treguan vendin e rrëzimit në një kodër të pjerrët, të pyllëzuar, me disa pjesë të mbetura nga helikopteri.

Pas përplasjes një operacion kërkim-shpëtimi me orë të tëra u organizua me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe Turqisë, por ekuipazhet e emergjencës u penguan nga mjegulla dhe rënia e temperaturave.

Incidenti vjen në një kohë të ndjeshme brenda vendit për Teheranin dhe shtatë muaj pas luftës së Izraelit kundër Hamasit në Gaza që ka rritur tensionet në të gjithë Lindjen e Mesme dhe ka nxjerrë në shesh një luftë të gjatë në hije midis Izraelit dhe Iranit. Muajin e kaluar Irani nisi një  sulm të paprecedentë me dron dhe raketë  ndaj Izraelit – sulmi i tij i parë i drejtpërdrejtë në këtë vend – në përgjigje të një sulmi të dukshëm ajror izraelit në  konsullatën e Iranit në Damask .