Nga hetimi i SPAK ka rezultuar se ish-deputeti socialist Arben Ndoka ka pasur rolin e porositësit dhe financuesit për vrasjen e shtetasve Durim e Valter Bami në vitin 2020. Krimi kishte si motiv hakmarrjen e Ndokës për vrasjen ë vëllait të tij Aleksandër Ndoka, ngjarje e ndodhur më 9 dhjetor 2017, por nuk mundi të realizohej.
Sipas SPAK, për të realizuar këtë krim ish-deputeti ka kontaktuar shtetasit Gentian Bejtja, i ekzekutuar në mars 2024, Arbën Mërkuri, i njohur si “Maneci”, i ekzekutuar më maj 2022, Aldo Avdylin dhe lidhjet e tyre.
Rolin e ekzekutorëve të vëllezërve Bami dyshohet se e kanë pasur Arben Mërkuri dhe Aldo Avdyli. Të dy janë ofruar nga Astrit Avduyli, i cili ndonëse ndodhej në një burg të sigurisë së lartë, ka qenë në gjendje të përdorë një telefon celular dhe aplikacionin SkyECC.
Për Arian Tukun, SPAK ka dyshime se ishte në rolin e organizatorit, financuesit dhe koordinuesit të të gjithë aktorëve të përfshirë në këtë ngjarje. Ai ka qenë i gatshëm të transferojë para nga llogaria e tij në Itali drejt një banke në Shqipëri për realizimin e ngjarjes.
Nga hetimi ka rezultuar se Samuel Ndoka, nipi i ish-deputetit, e njëkohësisht djali i vëllait të ndjerë të ish-ligjvënësit ka pasur rol organizues e koordinues të aktorëve në terren, kontaktin me ekzekutorët, sigurimin e armëve për vrasjen e vëllezërve Bami.
Në rol ndihmësish në këtë krim të kërkuar nga ish-deputeti Arben Ndoka ka pasur edhe Astrit Avdyli, i cili ka angazhuar Arbër Mërkurin dhe Aldo Avdylin.
Emiliano Shullazi, sipas SPAK, nga qelitë e burgut 313, ku qëndronte për një tjetër vepër penale siguronte informacione për lokalizimin e Durim e Valter Bamit, të cilat i merrte nga Marklen Haka.
Ndërsa Ervis Martinaj, sipas SPAK, ka pasur rolin financues dhe të sigurimit të logjistikës. Vëzhguese lokalizues dhe bashkëpunëtor në krim ishte Jozi Kraja, detyrë që e kishin edhe Blerim Abazi, Elvis Ndreca, Naim Stafuka dhe Gjin Ndoj.
Përveç lokalizimit, Gentian Bejtja ka siguruar vendin ku fshihen automjetet që do të përdorin ekzekutoret dhe strehimin e tyre deri në momentin e kryerjes.