December 5, 2024
Aktualitet Lajmi i fundit Sport

Shqipëri-Serbi kërkojnë organizimin e Europianit U-21, Tifozat Kuq e Zi protestojnë para zyrave të federatës

Tifozat Kuq e Zi kanë protestuar mëngjesin e kësaj të hëne para zyrave të Federatës Shqiptare të Futbollit, për të kundërshtuar aplikimin e përbashkët mes Shqipërisë e Serbisë për organizimin e Kampionatit Europian të vitit 2027 për U-21.

Ata kanë hedhur bojë të kuqe në hyrje të godinës së federatës si dhe kanë vendosur në kangjella fotografi-dëshmi të krimeve të ushtrisë serbe në Kosovë.

“Kundërshtojmë çdo nismë që mundohet ti rregulloj imazhin një populli barbar e gjenocidal. Kundërshtojmë çdo bashkëpunim me vrasësit me ata që shkaktuan me qindra masakra ndaj shqiptarëve dhe që deportuan me miliona nga shtëpitë e tyre gjatë gjithë historisë”, thuhet në një postim në Facebook të grupimit të tifozëve.

Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi ditë më parë se Shqipëria është një nga kandidatet kryesore për të organizuar ndeshjet finale të Kampionatit Europian 2027 për ekipet kombëtare U-21.

“FSHF i ka dërguar kërkesën UEFA-s që Shqipëria të jetë një nga vendet pritëse të finaleve të këtij kompeticioni. Por, duke qenë se nuk plotësohen kushtet sa i përket numrit të stadiumeve që kërkohen në mënyrë që vendi ynë të presë, të gjitha ndeshjet finale të Kampionatit Europian U-21, FSHF do të bashkëpunojë me Federatën Serbe të Futbollit për të pritur së bashku fazën finale të EURO 2027 për grupmoshën U-21”.