Berat Gjimshiti do të jetë ai që do të udhëheqë skuadrën e Atalantës nesër në fushën e lojës, në ndeshjen finale të Ligës së Europës përballë Bajer Leverkusen të Çabi Alonsos. Skuadra gjermane vjen me petkun e favoritit, pasi deri tani ka zhvilluar një sezon ku nuk është mposhtur asnjëherë.
Por, për futbollistin shqiptar, ndeshja e së mërkurës nuk ka favoritë dhe skuadra ka ndërgjegjësimin që mund të bëjë një rezultat shumë të rëndësishëm. Duke folur para gazetarëve në konferencën për mediat para finales, Gjimshiti tregoi edhe emocionet e tij para një ndeshje të një rëndësie kaq të veçantë.
Si mund të ndalohet një ekip si Leverkusen?
Me gjithë ekipin, kjo është filozofia jonë. Do të jetë e rëndësishme të qëndrojmë të bashkuar, të mbrohemi mirë në fushë.
E po e kuptoni atë që keni arritur, rëndësinë që ka kjo ndeshje?
Tani që kam hyrë në këtë stadium, shoh që nesër do të jetë një ndeshje e rëndësishme. Edhe të shoh kaq shumë gazetarë këtu më jep këtë ndjenjë. Trajneri tha diçka të vërtetë, nuk kishte kohë për të menduar për të ardhmen sepse kishim shumë ndeshje. Këtë e kupton në fund të sezonit.
Nesër e filloni si jofavoritët këtë herë, a mund të jetë ky një avantazh?
Nuk e di nëse ishim favoritë kundër Juventusit, është një skuadër e madhe e mësuar me finale. Nesër nuk mendoj se ka favoritë, ne do të mendojmë për veten tonë.
Leverkuseni është i pamposhtur, a mund të jetë kjo një barrë për gjermanët?
Mund të jetë, por dëshira për të qenë të parët që t’i mundim ata mund të jetë gjithashtu një nxitje për ne. Ne do të përpiqemi.
Si e keni parë të rritet Atalantën në vitet e fundit?
Kemi parë shumë lojtarë që vijnë dhe ikin: De Run dhe unë jemi gjithmonë të njëjtët, por mendoj se gjëja që kemi pasur gjithmonë brenda nesh është vetëdija për të dëshiruar gjithmonë të përmirësohemi. Kjo është rruga e trajnerit, ajo për të bërë lojtarët sa më të fortë që të jetë e mundur Në gjithë këto vite, edhe përvoja luan rolin e saj, ky është një ndërgjegjësim shumë i rëndësishëm, që jemi ne në Europë.
Në planin personal, sa mendoni se jeni pjekur?
Mendoj se sigurisht në shumë gjëra, me gjithë këto vite eksperiencë me Atalantën, ekziston vetëdija që jemi konkurrues. Nuk i kam vendosur vetes kufij për përmirësim, mendoj se ka shkuar mirë dhe si ekip gjërat nuk kanë fund. Gjithmonë mund të përmirësohesh.
Kujtojmë që ndeshja Atalanta-Leverkusen do të zhvillohet të mërkurën e 22 majit. Finalja e Ligës së Europës do të zhvillohet në “Aviva Stadium”, të Dublinit, Irlandë, në orën 21:00.